Letër nënës


Letër nënës

Gjallë je, ti moj nënokja ime?

Gjallë jam edhe unë… të përshëndes

Paqja e mbuloftë këtë mbrëmje

Izbën tënde deri në mëngjes.

Mora vesh se ti je merakosur

Atje larg për mua përsëri

Se ti shpesh del rrugës e brengosur

Mbështjellë me të vjetrin shall të zi.

Kur e kaltër mbrëmja bie pranë,

Të fanitet ty gjithmonë sikur

Diku mua larg në një mejhane

Një i dehur thikën po ma ngul.

Kot ti nënë rri me gjak të ngrirë

Ky nuk është veç vegim i zi

S’jam aq vagabond i pamëshirë

Sa të vdes pa të shikuar ty.

Unë i ëmbël jam prap si më parë

Endërroj kur fushat larg vërej

Që së shpejti nga këto mejhane

Në shtëpinë e vogël prap të kthej.

Do të kthej athere kur të mbushet

Kopështi ynë i bardhë me blerim

Vetëm ti si tetë vjet më parë.

Mos më zgjo herët në agim.

Mos m’i zgjo ti ënderrat që m’u zverdhën

Mos kujto atë që vate e shkoi…

Se në botë humbjet edhe lodhjet

Herët i provon, nënë moj.

Mos m’u lut t’i falem Zotit prapë!

Tek e shkuara nuk ka më kthim.

Vetem ti je gazi im i vetëm.

Ti e vetmja paqe e shpirtit tim.

Pra ti flaki brengat nëna ime

Mos u trishto për mua përsëri.

Dhe mos dil aq shpesh tek rruga e madhe.

Mbështjellë me të vjetrin shall të zi.

Sergei Esenin

Perktheu: I.Kadare.