Mbeti veç Dheu!Poezi nga Edmond Kaceli


Poezi nga Edmond Kaceli

Në shtëpinë e Babës, i Zoti i Shpisë nuk është më!
Mos thirrni kot! S’ka britma fëmijësh
                                                        në oborr
Heshtja dhe pemët që thahen për ujë
plotësojnë peizazhin shkretan.

Në shtëpinë e Babës, ikëm të gjithë
E fundit mbylli derën e dhimbjes Nëna!
(Nënën e morëm me vete
me një biletë të ftohtë avioni në qiellin e lotit)
Në Mëmë’Dheun tim mbeti veç dheu…

Në Mëmë e Atë Dheun tim
mbeti veç një shtëpi e pa jetë!
(Lidhur me alarmin e rojeve
që ruajnë Boshllëkun Final)

Në derë i varur trokitësi – Kryq Dhimbjet
për miqtë e dikurshëm që bërtisnin nga oborri:
A don miq o i Zoti i Shpisë!

Në shtëpinë e Babës, Baba nuk është më!
Në At’Dhe, Ati im u shua prej dhimbjeve…

Në Mëmë’Atë’Dheun tim mbeti veç Dheu!
Dheu që na shoqëron ngado…

Shkurt 2024