Meraku i kaltër-Kristo Çipa


Kristo Çipa

Me marakun e gërshetit

U ngrita, gjumin e prisha

Ti me sy thërmoje qelqin

Mua më digjej këmisha.

Dole për të dehur detin

Valvit fustanin mbi valë

Kur si fllad e dridhje belin

Dallgët i bëje me majë

Tundeshe si perëndeshë

Përpjetë brigjeve të bregut

Me vetull qëroje retë

Diellit i hapje shtegun.

Si zëri kalon kaluar

Nuk ke hapa , s’ke as flatër!

Si amanet nëpër duar

Më lë merakun e kaltër

E gdhend me daltën e shpirtit

Monumentin e merakut

Ti largohesh, unë i ligur

Lahem në lot të zambakut!