Mësuese Nefize Hoxha vjen me librin për gratë që bëjnë dritë-Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj


Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj

Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj

Na edukuan me sjelljen e tyre…

Në klasën e dytë të shkollës 7-vjeçare “Sadik Zotaj” në Ramicë më ka dhënë pësim mësuese Nefize Hoxha (Muçaj). Ajo sapo kishte mbaruar Shkollën Pedagogjike në Elbasan, e me që ishte bijë fshati e emëruan në këtë shkollë. Në klasën e parë të shkollës kishim mësues Gani Gollo, rilindasin e fundit dhe më të moshuarin e mësuesëve të Vlorës. Ai ishte modeli i mësuesisë, i qetë në mësim, me një të folur të ngadaltë dhe të bukur, me një fjalë të pastër shqipe, me një urtësi në shprehje dhe lëvizje dhe me një fytyrë gjithë gëzim kur shpjegonte. Këto cilësi dhe të tjera morëm nga ky mësues patriot i arsimit. Në mbajtjen e penës kur filluam të shkruanim, mësuesi kishte një dorë të lehtë që na mësonte e na thoshte shpesh “shtërngojen fort penën me gishtrinjtë, që të mos ju iki nga dora”. Po e mbajtët penën fort, do të bëheni të fortë në jetë, sepse nëpërmjet kësaj pene që shkruan këto gërma, ju do të mësoni historinë e lashtë arbërore dhe do të bëheni të zot për vete, për familje e Atdheun…

Kështu që nga mësuesi i rilindjes, në vitin e dytë kaluam në mësuesin e ri, të përgatitur në shkollën shqiptare, me përvojën dhe kulturën e rilindjes. Kështu mësese Nefize e pati të lehtë me ne, pasi mësues Ganiu na kishte edukuar dhe formuar me një rregull dhe qetësi në mësim e në shpjegim. Ai kurrë nuk diti ta ngrerë zërin. Këtë vrejtëm dhe tek mësuesja e re që kishte ardhur me një vrull të ri, dhe me një dëshirë për të shpjeguar dhe mësuar sa më mirë brezin e ri që po arsimohej.

Në kulturën dhe letërsinë shqiptare, firma e autoreve gra është disi e paktë, e megjithatë zëri i tyre në mbrojtjen e të drejtave dhe lirive, si dhe kontributit të çmuar që kanë dhënë në luftërat për lirinë dhe pavarësinë e Atdheut, rolit që ato luajnë në qytetërimin e shoqërisë shqiptare është i madh dhe i spikatur. Qetësinë e shpjegimit dhe kulturën në mësim, e kudo e manifestoi dhe mësuese Nefizi, e cila për tërë vitin në klasën e dytë nuk e ngriti një herë zërin…

Nga fshati u larguam se vijuam shkollën dhe në jetë morëm zanate e profesione të ndryshme e shërbyem në çdo cep të Atdheut…por mësuesit e parë Ganiu e Nefize u ngulitën thellë në ndëgjegjen time, si mësues të denjë e plot shpirt mirësie që na dhuruan në ato vite…

Nuk më kishte shkuar kurrë në mendje që si nxënës i mësuese Nefize Hoxha, do të më jepej rasti që të bëja një parathënie për librin e saj që po përgatistë për gratë e Vlorës dhe të krahinës. Prof. Bardhosh Gaçe më dërgoi libri në dorëshkrim për ta parë. Gëzimi për mua ishte i dukshëm. Tani po lexoja shkrimin e përgatitur nga mësuesja, por në çdo gërmë e mendim, më tringëllonin në vesh fjalët e saj, të matura, të qarta, të kuptueshme dhe me një lirësi mendimi dhe shprehje…

Libër historie për gruan plotë dritë

Libri “Gruaja shqiptare dhe roli i saj në historinë e Shqipërisë”, ka qenë i projektuar qysh pas vitit 1990 dhe i sigluar nën titullin e botimit “Gra që i bëjnë dritë Shqipërisë”, dëshmon qartë se autoria, Nefize Hoxha, një intelektuale e mirënjohur e krahinës së Mesaplikut, një veprimtare e dalluar e gruas dhe e shoqërisë, na shpërfaq mjaft momente të rëndësishme historike dhe shoqërore, ku nxjerr krye kontributi i jashtëzakonshëm i gruas shqiptare përgjatë shekujve, deri në kohët tona moderne, duke dhënë kontributin e saj në pasqyrimin e një çështjeje kaq madhore.

Intuita dhe hulumtimi i Nefize Hoxhës në një libër të tillë, na sjellin pamje, ngjarje dhe personazhe, që zbulojmë në sytë e lexuesit dëshmi të gjalla, të përpjekjeve të gruas shqiptare qysh në Motin e Madh të Skënderbeut, në luftërat e mëdha çlirimtare për të shkëputur vargonjtë e pushtimit të gjatë otoman, në vitet e Shpalljes së Pavarësisë Kombëtare, si dhe Lëvizjes Antifashiste Nacionalçlirimtare, ku gratë e vajzat mbushën radhët e çetave, brigadave e divizioneve partizane për çlirimin e Atdheut nga pushtuesit nazifafashistë.

Ky udhëtim historik i gruas shqiptare nëpër shekuj në penën e Nefize Hoxhës merr shkëlqimin e vet, duke e dritësuar atë, si pjesë e historisë sonë kombëtare, si mbartëse të traditave, zakoneve, dhe forcës së saj vitale për gjallërimin e jetës së kombit.

Brenda këtyre pamjeve e ngjarjeve të mëdha nxjerrin krye edhe mjaft gra të shquara si: Teuta e Ilirisë, princesha Rugjina Balsha e Kaninës, Donika Kastrioti, legjendaret Maro Konda e Miro Tërbaçia, por edhe pjesëmarrja e grave në përhapjen e arsimit shqip, si: Parashqevi Qiriazi, Sevasti Dako, Polikseni Luarasi, Lino Grameno, Marigo Posio, Urani Rumbo, apo trimëresha si Tring Smajli e Nora e Hotit, Shota Galica, Zonja Çurre, Persefoni Kokedhima, Bule Naipi, gjurmët e të cilave janë ende të gjalla në kujtesën shqiptare.

Në librin “Gra që i bëjnë dritë Shqipërisë, Nefize Hoxha, me kulturën dhe intelektin e saj, bëhet vazhduese e traditës së studiuesëve dhe publicisteve gra, të cilat gjatë shekullit të XX, hodhën dritë mbi kontributin e gruas shqiptare në luftërat për liri dhe pavarësi, si dhe përparim shoqëror e demokratik.

Ashtu si Parashqevi Qiriazi, Sevasti Doko, Poliksene Luarasi, Edhoksi Gërmenji, Marigo Posio, Urani Rumbo etj., libri i saj sjell në vëmendje të kohës, rolin e madh të gruas shqiptare, dhe aspiratat e saj qytetare dhe atdhetare. Ky libër pasqyron më tej bibliotekën shqiptare, duke i bërë një nder të veçantë gruas shqiptare dhe rolit të saj gjatë shekujve.

Krahas pjesëmarrjes së gruas shqiptare në Luftën epope të Vlorës të vitit 1920, autorja Nefize Hoxha ka pasqyruar në faqet e këtij botimi edhe kontributin e saj në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, kryesisht në Qarkun e Vlorës dhe në krahinën e Mesaplikut, ku gra të tilla si: Qeriba Derri, Liri Arapi, Fato Zotaj, Ramize Gjebrea, Zyhra Radhima, Melë Canaj, Esma Derri, Miserdhe Rexhepi, Minushe Islami, Aferdita Zotaj e mjaft të tjera, kanë lënë gjurmët e tyre si antifashiste të shquara.

Portretizim të figurës së gruas labe

Libri “Gra që i bëjnë dritë Shqipërisë”, i Nefize Hoxhës, është një studim i vyer për kontributin e gruas në jetën shqiptare gjatë shekujve, në këtë mënyrë ajo me një shpirt të çlirët, i flet kohës sonë, me mesazhe të fuqishme, pasi siç thotë rilindësi Sami Frashëri “Gruaja është themeli i një kombi”.

Libri ka portretizuar dhe mjaft gra të shquara në historinë e Shqipërisë. Në mënyrë të veçantë autorja është ndalur në figurën e Qeriba Derrit, si një heroinë që u mëkua që herët me dashurinë për Labërinë dhe gruan labe. Më tej është një portretizim për Ramize Gjebrea, një antifashiste e shquar që ngriti në këmbë gruan labe, për të vijuar me Nënë Duzen, gruan tipike labe që si një luaneshë çau mallet e qëndroi stoike edhe kur u bë deputete e popullit. Me ndjenjë mësuese Nefize ka bërë një recesnsë të veçantë për monografinë “Thëllëza e Mesaplikut” që i kushtohet aktivistes së shquar të lëvizjes Fato Zotaj. Një syth i është kushtuar gruas në traditën folklorike të Labërisë, që nisin nga këngët, vajet dhe elegjitë për trimat e rënë në luftë…

Mjaft bukur ka përshkruar dhe kontributin e grave të Smokthinës në luftërat për çlirim kombëtar dhe shoqëror. Libri sjell një përvojë të gjatë të gruas luftëtare, të gruas labe, të cilat në çdo moment historik kanë qëndruar pranë familje dhe i kanë shtuar vlera dhe kanë lartësuar dinjitetin e familjes shqiptare.

Shpresoj që mësuese Nefize Hoxhaj, të vazhdojë të shkruaj më tej, sudomos për kontributin e gruas për emancipim dhe për barazi me burrin në sistemin socialis, si dhe për vendin e saj në familje dhe në shoqëri, por parësore në mirërritjen dhe edukimin e fëmijëve…