“Mësueset e fshatit”


Nga cikli: ” Dikur “

Mësueset e fshatit

Nga Ismail Kadare

Në udhëkryqe ndanë xhadeve

Ditët e shtuna dalin shpesh

Dhe zgjatin dorën nga makinat

Herë dy nga dy herë veç e veç

Po shpesh ata që janë brenda

Me njëri-tjetrin shkëmbejnë fraza

Si shumë pretendime kanë

Mor shoku Jani, këto vajza

Dhe janë ata që bëjnë zhurmë

Që kanë për vete dyzet gojë

Që i shkruajnë letër presidiumit

Për një guzhinë po t’ju mungojë

Dhe ato presin makinën tjetër

Atje në rrugë atje në shi

Ato të urtat gjer në dhembje

Të thjeshtat gjer në madhështi

Tek presin, java që kaloi

Iu kujtohet si në tym

Klasa me nxënësit, gabimet

Q’u përsëritën në hartim

Në mbrëmje radion dëgjon njëra

Tjetrës në mend i vjen sërish

Shikimi i fotoreporterit

Q’andej kaloj rastësisht

Koha e fejesës i ka ardhur

Dikujt ndoshta i shkon çdo ditë

Pluhur i shkumësit, vello e bardhë

U bie mbi supe e i trondit

Po s’ngrenë ato botën në këmbë

Në komitet në ministri

Ato të urtat gjer në dhembje

Të thjeshtat gjer në madhështi.