Natë në Myzeqe-Fatmir R Gjata


Nën shputë mbet një lule kripë

Në krahë një fole

Ku vijnë ca zogj ditë për ditë,

këndojnë me hare.

Nuk ka më udhë ku mund të shkoj,

kënetës nëpër natë

Mes degë marinash së pa gojë,

ku fle hënëz e ngratë.

Më flet një shkurre degëharlisur,

do jetë manaferrë

Sa herë…sa herë më ke grisur,

kur shkoja nëpër terr.

Me erën lozin gjethet sot,

ndër plepa e kavakë

Ndaj ndihem pemë me korë të fortë,

i rreshkur edhe plak.

Dhe vë takije me të vërtetë,

mbi flokët e rralluar

Zë shkruaj vargje nëpër fletë,

pa pasur gjë në duar.

Pak pluhur mbet nëpër kërcinj,

do bëhet baltë e mirë

Pranë kishës ndez dhe dy qirinj,

e shkoj në errësirë.