“Në gjurmët e jetës sime”


“NË GJURMËT E JETËS SIME” Thanas Gjiknuri

FALË MIKUT TIM TË KAHERSHËM, PETRAQ JANKO PALI, më ra në dorë libri me kujtime i ish shefit tim të shtabit në Regjimentin Ajror Rinas, të ndjerit THANAS GJIKNURI.

Para se të them dy fjalë rreth librit të tij dua të them pak fjalë se si e kam njohur shefin tim.

Shef Thanasi më ka lënë në kujtesë një figurë tepër simpatike që nuk do më largohet kurrë nga mendja. Ai ishte një burrë simpatik, i gjatë, i shëndetshëm që shpërndante vetëm ngrohtësi dhe mirësi. Nga ana ushtarake ishte shumë i rregullt; me një sjellje ushtarake për t’u admiruar dhe me një uniformë tepër të pastër që e mbante përherë sipas rregullores së shërbimit. Një oficer që e nderonim dhe e respektonim të gjithë por edhe që na nderonte dhe respektonte njerëzisht dhe ushtarakisht edhe ne vartësit e tij. Buzëqeshjen e tij simpatike e kishte stampuar në fytyrë dhe nuk i hiqej kurrë edhe kur ishte i detyruar të bënte vërejtje apo jepte një qortim. Të gjithë e deshëm dhe e dëgjonim si epror madje edhe si një baba, jo vetëm ne që ishim shumë më të rinj në moshë por edhe shokët më të vjetër dhe moshatarët e tij.

Në atë kohë ai ishte 48 vjeç dhe unë isha 23.

Komandat i regjimentit ajror të Rinasit ishte po një burrë tjetër aq simpatik dhe aq i mirë sikur të ishin të dy vëllezër binjakë, quhej Haki Jupasi nga Starja e Kolonjës. Ata shkonin kaq mirë të dy sa unë dendur mendoja se si mund të qëllojnë në të njëjtën kohë dy udhëheqës kaq simpatik dhe kaq të dashuruar me njëri tjetrin?! Nga libri i tij, “Gjurmëve të Jetës ….” që sapo lexova, e mora vesh se ata ishin shokë të ngushtë që nga shkolla e aviatorëve dhe më pas në akademinë ushtarake po në Bashkimin Sovjetik.

Dy fjalë rreth kujtimeve të jetës së tij.

Libri ka 257 faqe me kujtime dhe fotografi të Gjurmëve të Jetës së Legjendarit Thanas Gjiknuri.

Botimi u mundësua nga Shtëpia Botuese ILAR në Tiranë.

Libri ndahet në dy pjesë: pjesa e parë, FAMILJA dhe LUFTA PARTIZANE. Pjesa e dytë, JETA NË TIRANË DHE NË FORCAT E ARMATOSURA AJRORE SHQIPTARE.

Nuk e kisha menduar kurrë se Thanasi do të mbante shënime të hollësishme pa harruar asgjë në mënyrë të saktë për ato që ai jetoi, punoi dhe luftoi në dy periudha të rëndësishme të jetës së tij shumë aktive, patriotike dhe mbresëlënëse. Këtë e vërtetoj me ato pak gjëra që i kam jetuar edhe unë së bashku me shokët e mi në Forcat Ajrore Shqiptare.

Qëndrimi i tij dashamirës, luftarak e patriotik por edhe kritik vërehet re në të gjitha historitë që ai shkruan. Ai tregon shumë hollësi nga jeta e tij dhe e bashkëjetuesve të tij familjarë, partizanë dhe aviatorë pa harruar detaje e përshkrime të karakterit dhe pamjes së protagonistit gjë që tregon për kulturën e tij të lartë jo vetëm ushtarake por edhe letrare.

Libri lexohet me shumë dashuri dhe të rrëmben me ngjarjet e shumta, dendur të papritura, të cilat të lenë në ankth dhe të bëjnë të jetosh gjallërisht në rrembat e rrjedhës së jetës së tij.

Ajo që më ra shumë në sy është vlerësimi tepër real i krahinës së Bregut si krahinë tërësisht shqiptare e cila fatkeqësisht është turbulluar me ndërhyrjet greke në arsim-kulturën e saj si pasojë e masave vrastare të Turqisë ndaj gjithçka shqiptare jo vetëm në atë zonë por edhe në tërë Shqipërinë. Shqiptarët e greqizuar ai i cilëson tradhtarë dhe i godet pa mëshirë si shqiptarë që nuk ka dashur kurrë t’ju tjetërsohet gjaku i pastër prej shqiptari!

Origjina e Thanasit sipas tij, është nga një shqiptar me emrin Gjikë Nuro (Nuri).

Ai lindi në fshatin Kudhës të Himarrës, në krahinën e Bregut siç e quajmë ne. I ati dhe fisi i tij me shumë përpjekje ishin shkolluar që në atë kohë kur shkollat shqipe ishin të ndaluara në Shqipëri. Më pas, në kohën e mbretërisë, ata kërkuan dhe shkuan në ato pak shkolla të mesme që kishte hapur regjimi i Zogut, kështu që Thanasi studioi në Elbasan, në Tiranë dhe në Korçë me shumë mund e përpjekje. Një nga vëllezërit e tij mori edhe titujt shkencor Doktor e Profesor në disa degë ku studioi.

Thanasi dhe fisi i tij u lidhën me Luftën Nacional-Çlirimtare dhe disa prej tyre, bashkë me Thanasin dolën që në fillim të kundërshtimit antifashist në grupet e njësiteve guerile dhe më pas në çetat e para antifashiste duke bërë propagandë që rinia shqiptare të çohej në luftë kundër okupatorit fashist dhe tradhtarëve të vendit. Madje ai u burgos për disa muaj. Më pas doli malit partizan ku u shqua si luftëtar heroik deri në çlirimin e Shqipërisë dhe Kosovës duke qënë i inkuadruar në Brig. e V Sulmuese. Për çdo luftë dhe për çdo dëshmor jep detaje të hollësishme pasi siç duket ai ka mbajtur ditar.

Nga fisi i tij ranë dëshmorë disa djem.

Po ashtu tregon disa histori edhe për Heronj Kombëtarë si Zaho koka e etj. të cilët ai ka pasur shokë të ngushtë. Tregon dhe për vrasjen e Ramize Gjebresë e cila, siç thotë Thanasi, u vra me urdhrin e serbit Dushan Mugosha!

Thanasi ka qenë mbajtës i disa dekoratave të luftës.

Pas çlirimit, si i ri i shkolluar që ishte ai dhe disa djem të tjerë shqiptarë dërgohen në Jugosllavi për pilotë. Nuk e përfundoi dot shkollën sepse Shqipëria e Hoxhës u prish me Jugosllavinë Titiste.

Për Jugosllavë që e shëtiti gjithkund nuk ka pasur ndonjë mall të veçantë siç ka pasur për Bashkimin Sovjetik që e kujton me shumë dashuri pasi edhe trajtimi që ju bënë rusët të huajve ishte i jashtëzakonshëm, njëlloj siç i kemi ne traditat e mikpritjes.

Në B.S ai përfundoi studimet për pilot dhe më pas akademinë ushtarake. Nuk mburret për vete por ne që e kemi njohur e kemi ditur se shef Thanasi ishte erudit. Pati aq vullnet sa në Tiranë, me korrespodencë, përfundoi edhe një fakultet.

Për mua, në libër janë tre rastësi, ku kam pasur mundësi të dija diçka, madje edhe t’i takoja protagonistët e librit.

Rasti i parë është kur shef Thanasi flet për shoqen e tij të jetës, Antonetën e bukur e cila është bija e një shokut të nënës sime, e cila ishte gjithashtu partizane, për të cilin ajo kishte shumë respekt dhe më ka treguar disa histori rreth tij. Ai quhej Miti Rapo me të cilin nëna ime ruante edhe një foto që kishin dalë bashkë pas luftës në Vithkuq. Miti ishte nga Vithkuqi dhe nëna ime nga Grabocka e ata punon bashkë.

Rasti i dytë kur Thanasi flet me shumë simpati për shokun e tij të ngushtë, Peço Polena, aviatori i parë shqiptar që u ngrit me avion luftarak në hapësirën shqiptare. Mua mu kujtua i vëllai, Nesti Polena me të cilin jam njohur dhe në një rast (duke pirë kafe në turizmin e Korçës) ai, pa asnjë lloj frike, (ishte koha kur Enveri ishte gjallë), më tha, “Mua ma vranë vëllanë dhe jo ashtu siç tregon ti!” Sepse unë i tregova se Peço vdiq nga një sëmundje, siç shkruan edhe Thanasi.

Rasti tjetër befasues për mua është kur Thanasi flet jo vetëm për mikun e tij të ngushtë, aviatorin korçar, dëshmorin Vasil Trasha por edhe për gruan e tij të lartë dhe të nderuar, zonjën Fanika të cilën e pata njohur nëpërmjet mbesës së tij dhe shoqes sime të mirë vllehe, Petrina Janollari, ndjesë pastë, nga Boboshtica e cila më ka shpënë për vizitë në shtëpinë e Fanitës në Korçë sepse ishte e mbesa e saj.

Si sot unë e kam para sysh atë grua të shëndetshme dhe simpatike që e donte burrin e saj si rrallë femër tjetër. Fotoja e Vasilit me dekoratat e shumta ishte zmadhuar dhe vendosur në hyrje të shtëpisë së saj e cila jetonte e vetme pasi nuk u martua edhe pse kishte ngelur shumë e re pa burrë. Ajo e kishte Vasilin si ikonë ku falej tre herë në ditë. Unë edhe sot e ruaj me admirim atë pamje të asaj gruaje heroinë që i kushtoi jetën e saj burrit që e donte aq shumë! Dhe atje më lindi dëshira që të bëhesha pilot.

Thanasi kreu detyra të shumta si pilot dhe kudo që ai jetoi e luftoi shkëlqeu por ai për vete flet me shumë modesti. Disa të dhëna për të i kam marrë nga dy kolegët e tij që edhe sot flasim me shumë admirim për profesionin e tij si Pilot i Klasit të Parë; ata janë Bardh Lubonja në Boston të SHBA dhe Robert Marko në Korçë të cilët Thanasi i përmend me shumë dashuri në libër.

Këto të dhëna do t’i publikoj njëherë tjetër që të mos zgjatet shumë ky shkrim.

Karriera e tij si pilot nuk zgjati shumë pasi doli i paaftë nga një sëmundje që e kuroi në RDGJ ku ai shpëtoi pa e prerë këmbën.

Kështu që THANAS GJIKNURI, i paaftë për fluturim, kaloi në disa detyra në tokë dhe në fund unë e gjeta SHEF SHTABI NË REGJIMENTIN AJROR TË RINASIT.

Në fillim ai u caktua Komandant i Shkollës së Aviacionit Shqiptar sepse e meritonte si piloti i Klasit I, ku zëvendësoi Areteo Ikonomin. Instruktorët për studentët ishin pothuajse ata që kishin qenë edhe në Tiranë, si Flamur Micko, Hektor Lako, Refit Jazoj, Petrit Majlindi, Irakli Grazhdani dhe Agim Spahiu. Aty nisën të përgatitjet për instruktorë të ardhëshëm edhe Naun Todo, Admir Fllaga, Nehar Jazexhi, Hamdi Arapi, etj. të cilët i kapa edhe unë kur arrita në atë shkollë në vitet 70.

Nuk mund të le pa përmendur Legjendat e Aviacionit Luftarak Shqiptar që s’do harrohen kurrë derisa të ketë qoftë edhe një shqiptar. Ata janë; Edip Ohri, Niko Hoxha, Babaçe Faiku, Fari Bubësi, Haki Jupasi, Vasil Trasha, Peço Polena, Thanas Gjiknuri, Bardhyl Taçi, Gëzdar Veipi dhe Masar Aga.

Nuk e teproj nëse them se ky libër është një Gur Themeli në Fillimet e Historisë së Forcave Ajrore Shqiptare dhe se, populli shqiptar dhe veçanërisht ne ish aviatorët duhet të falënderojmë Shpirtin Legjendar, THANAS GJIKNURI.

***

Thanas Gjiknuri! U prefsh në Paqen e Përjetshme sepse e kryet me nder e devotshmëri detyrën fisnike si Shqiptar, si Bregas, si Pilot e Ushtarak Shembullor dhe mbi të gjitha si Njeri me Virtute e Parime Humane Shembullore që nderojnë jo vetëm kujtimin tënd në përjetësi por edhe Shqipërinë bashkë me ne që kemi punuar e jetuar me JU!

Faleminderit.

Thanas Gjiknuri lindi në janar të 1925 dhe vdiq në 2016 nga pleqëria.

Qoftë i paharruar dhe përherë i nderuar!