Nën qiellin e Durrësit-Vaso Papaj


(Poemë)

Nën qiellin e Durrësit

Vezullojnë dritat e fundvitit,

Atje, në sheshin e ri, rreth Babagjyshit.

Por më tutje, nëpër rruginat

Tremben foshnjet në gjumë.

Hungërijnë qentë mbi kazanë plehrash.

Janë shtuar nga festa hedhurinat…

Hum – hum – hum…

Nën qiellin e Durrësit

Vazhdojnë të kthehen refugjatët,

Me xhinsa, me xhupa të zinj.

Në grupe gjuajnë gjimnazeve.

Dikush kërkon një adresë, një rrobaqepsi:

Shpreson zemrën ta ndaj në dy.

Të lindë një simpati, qoftë me mblesëri.

Një sy ta ngrohë në një tjetër sy.

Nën qiellin e Durrësit

Tingujt e një rok-u, lehtë – lehtë,

Dalin me drojë nga “Amsterdami”*,

Se Tinë** aty s’ka më. As bar të njomë rrotull saj.

Vetëm reflekse betoni me përbindësh-çelik te xhami.

Mungojnë celularët, të kapin një çast magjik.

Mungojnë dhe blicët që këndojnë:

Klik – klik – klik…

Po aty, një tufë vajzash

Dredhojnë rrugën. s’ e gjejnë më Bob Dylan**.

U del huq dëshira ta përqafojnë, ta hedhin tuç,

Dhe as që dëgjohen tashmë ofshamat:

Puç – puç – puç…

Lumturinë kështu e kishin ndërtuar,

Në një ajër ngopur me kripë.

Po frytin e saj tashmë e ëndërrojnë larg,

Në Amerikë.

Nën qiellin e Durrësit,

Nën urën e Dajlanit,

Në mesnatë ngrin një fëmijë i gjorë.

Një shpresë e mekur, mëngjes i vdekur

E askush s’ndjehet fajtor.

Errësirë e plotë. U fik një qiri.

Një erë-prostitutë që lëpin pa turp nënkalimin,

Këndon hi – hi – hi…

Po nën qiellin e Durrësit,

Grupe maturantësh,

Sikur zbresin nga qielli, lart.

Rënkon nga pesha ashensori i “Galaktikut*,

Sikur flet përçart…

Po s’e mbulon dot harenë -mysafire

Në ndarjen e të rinjëve

Këtë natë.

Nën qiellin e Durrësit,

Dy dallgë puthen te bregu, pa drojë

Edhe pse të trishta

Nga ujrat e zeza pa sy e pa gojë.

Është çliruar puthja. S’del më huq

Tashmë, asnjë faqe nuk skuq.

Lamtumirë ndrojtje shekullore!…

Plluq – plluq – plluq…

Nën qiellin e Durrësit,

Nga xhaketa të tërheqin lypsat.

Ndonjë trans trotuareve sesi të ngul sytë.

Ndërsa çiftet andej nga bregu,

Të spërkatur nga dallgët me shkumë,

Si zogj të Perëndisë i fsheh errësira, në krahë.

E s’duan t’ia dinë për gjumë,

Duan vetëm: Ah – ah – ah…

Befas qielli nis e zbrazet:

Lumenj gjithandej,

Jo vetëm mes për mes ish Kënetës.

Po dhe në sytë e saj, lumenj.

Se “Golfin” e dashurisë

Goja e një trageti si krokodil pritet ta përlaj.

Dhe mbi pellgjet e njelmët,

Malli i ndarjes të përhapet si vaj.

Por qielli i Durrësit

S’mbetet gjatë kështu, mizor.

Një mrekulli atje lart ka dalë.

Nga Rodoni niset, i përkorë

E gjer prapa Dajtit ndal.

Qielli ka lëshuar ylberin si tellall

E unë prapë lutem e lutem

Që një ditë qytetit tim tërë këto faje Ai t’ia fal.

* “Amsterdam” – Bar në dalje të Portit.

* “Galaktiku” – Qendër tregtare në hyrje të qytetit.

** Tina Turner e Bob Dylan – këngëtarë amerkanë në bronz.