“Pojani në udhën e diturisë”,ekspozitë nga studenti Klajdi Lulollari


Artikulli i përgatitur për hapjen e ekspozitës më 23 shtator 2021, botuar nga gazetari i mirënjohur Vepror Hasani tek gazeta “Telegraf” ditën e enjte, datë 11 nëntor, 2021.

Ju ftoj ta lexoni, sipas dëshirës!

Kur Klajdi Lulollari, student në Fakultetin e Histori-Filologjisë, dega e Arkeologjisë dhe Trashëgimisë Kulturore në Universitetin e Tiranës, hodhi idenë idenë e organizimit të një ekspozite historike për udhën e përshkruar nga Pojani, vendlindja e tij, në arsim, kulturë dhe dije, nga shumë njerëz u prit me skepticizëm, pasi mendonin se në ditët e sotme organizime të tilla nuk tërheqin vëmendje dhe pjesëmarrja është e ulët, por në të vërtetë nuk ndodhi kështu. Lulollari nsi ta konkretizonte idenë e tij. Gjithçka nisi të merrte jetë. Fotot e mësuesve dhe kontribuesve në fushën e arsimit dhe dijes po shtoheshin. Mënyra e vendosjes së tyre ishte e mirëmenduar dhe mbresëlënëse. Diku në tablonë e përgjithshme u vendos një foto e hershme që sillte nostalgji, diku një foto e harruar prej vitesh, sepse për kohën që lamë pas, kishte qënë e padëshiruar, diku diçka që sillte mall dhe kujtime, diku një surprizë tjetër nga momentet historike të dijes në Pojan. Studenti i Trashëgimisë Kulturore po ndërtonte me të gjitha detajet një jetë që prej dekadash ishte e humbur. dëshironte t’i bënte bashkë të gjithë kotributorët e dijes, të djeshmit dhe të sotmit. U ishin dërguar ftesa edhe drejtuesve të qarkut Korçë, po a do të vinin të gjithë, a do të kishte pjesëmarrës. Ky ishte shqetësimi i vetëm i Klajdi Lulollarit.

Fokusi i ekspozitës

“Po, në fokusin e këtij aktiviteti, – na tha Lulollari, – do të gjeni rrugën e përshkuar nga Pojani, rrugën e dijes, vazhdimin e traditave të shkëlqyera, përkushtimin ndaj diturisë pa të cilën nuk mund të ketë përparim dhe prosperitet. Portretet e njerëzve që jetën ia kishin përkushtuar arsimit. Përkushtimi ndaj tyre ishte shenjë nderimi dhe respekti. Përveç fotove, ekspozita u pasurua edhe me kujtime e dëshmi të mësuesve dhe nxënësve, me veprimtaritë e dikurshme artistike dhe kulturore, folklorike dhe sportive etj. U sollën fakte dhe dokumente të cilat ndërtuan historikun e plotë të shkollës Pojan. Gjithkush mbeti i mrekulluar. Historiku i shkollës së Pojanit është i veçantë, ajo u çel në vitin 1890 nga atdhetari i njohur Orhan bej Pojani, kryetari i shoqërisë “Dituria” dhe një nga themeluesit që bëri të mundur edhe çeljen e Mësonjëtores së parë shqipe. Edhe zanafilla e shkollës së Pojanit nis nga kjo kohë; mbart periudhën e Rilindjes Kombëtare (1878-1912), shpalljes së Pavarësisë (1912), Luftën e Parë Botërore (1914-1918), Krahinën Autonome të Korçës (1916-1918), shpalljen e Republikës (1925-1928), të Mbretërisë Shqiptare (1928-1939), Luftën e dytë botërore (1939-1944), dhe periudhën më të fundit nga vitet (1945-1990) e deri sot.”

Pjesëmarrja ishte vlerësim

“Në këtë aktivitet, – na shpjegon Klajdi Lulollari, – nderuan me pjesëmarrjen e tyre mësues veteranë, që i shërbyen kësaj shkolle për vite me radhë duke filluar nga mesi i shekullit të kaluar; kryetari i Bashkisë Maliq, Z. Gëzim Topçiu , zv/kryetari i Bashkisë Maliq Z. Eri Rustemi, drejtoresha e Zyrës Arsimore Maliq Znj. Genta Drabo, administratori i Njësisë Administrative Pojan, Z. Kreshnik Azo si dhe kryetari i fshatit Pojan, Z. Xhafer Gjyshllari.

Pranë nesh u gjendën poetë dhe shkrimtarë si: Gurali Spahillari, Ylber Merdani, Skender Demolli, Istref Haxhillari, Bujar Balliu, Shyqyri Fejzo, Ibrahim Memelli, Pandeli Bardhi dhe gazetarët të disa mediave. Nuk munguan as aktorët dhe këngëtarët. Atmosferë tjetër edhe më të gëzueshme i dhanë Avni Memeçko, Klaudeta e Petrika Riza, Endri Fifo dhe KantAutori Maksi Kulla të cilët përmes fjalës së tyre përshëndetën këtë aktivitet mbreslënës.

Në këtë aktivitet nuk mungoi as drejtori i parë i shkollës së mesme me hapjen e saj në vitin 1968, Kristaq Jorgji, preu shiritin e ekspozitës megjithëse me një moshë mbi 90 –vjeçare, dhe shumë mësues të tjerë veteranë e të rinj, gjithashtu u mbajt edhe një minutë heshtje për mësuesit që kanë ndërruar jetë: regjisorin Dhimitër Orgocka, ish-nxënësin e shkollës; dëshmorin e Atdheut, Mehmet Ropi; ish-nxënësin Klajdi Leka, aksidentuar fatalisht në Athinë, Greqi.”

Këngët e shndërruan aktivitetin në festë

Këngët e kënduara nga këngëtarët dhe ish-mësuesit e muzikës së kësaj shkolle Fatime Shkëmbi dhe Thanas (Nasi) Kondili, veçanërisht me këngën “Dua më shumë Shqipërinë”, i dhanë freski aktivitetit. Nga ish-mësuesit përshendeti takimin mbreslënës të brezave Vladimir Caci. Nga ish-nxënësit përshëndeti Vasfi Sherifi, maturant i brezit të parë të shkollës së mesme bujqësore me shkeputje nga puna (ditën), 1970-1974. Për pjesëmarrësit u lexua edhe një përshëndetje e gazetarit Fuat Memelli i cili gjendet në Boston.

Të gjitha materialet e ekspozuara në stenda do të botohen në vëllimin Enciklopedia e Arsimit, ku përveç historikut të shkollës Pojan do të pasurohet edhe me historikët e shkollave të fshatrave të zonës së Pojanit, Zvezdë, Burimas, Zëmblak, Plasë, Rrëmbec, Tërovë, Pendavinj, Rov, Kreshpanj, Shën Gjergj, Orman -Pojan dhe me jetëshkrimet e mësuesve të këtyre shkollave.

Kush është Klajdi Lulollari?

Shumëkush mund të pyesë: Kush është Klajdi Lulollari? Përgigjja është e shkurtër:

Klajdi është një djalë i ri, nuk i ka mbushur të njëzetat, student në Fakultetin e Histori-Filologjisë, dega e Arkeologjisë dhe Trashëgimisë Kulturore në Universitetin e Tiranës. Ndihet krenar me veten, familjen dhe vendlindjen e tij; për të ardhmen ka shumë ëndrra, dëshiron të dokumentojë dhe të evidentojë gjithçka pozitive në fushën e dijes dhe të diturisë nga kontribuesit më në zë dhe me emër të madh në këtë fushë qysh nga fillimet e shekullit të kaluar e deri në ditët e sotme. Mirënjohja për Lulollarin prej pjesëmarrësve, mësuesve të nderuar ndër vite, prej kolegëve dhe intelektualëve të pranishëm që e përzemërt: “Faleminderit Klajdi për emocionet që na dhurove në këtë organizim kaq të rrallë dhe mbreslënës.”

Mirë u takofshin në evenimente të tjera po kaq të bukura!