Rrëmbimi i Persefonit-Petro Sota


Petro Sota

————————————-

( Legjendë )

Perëndesha Demetra, tokën punonte,

lule të çelnin e të mbushej bimësia,

Çdo ditë me të bijën, lëndinat lulëzonte,

E vajza mblidhte lule, i ndrinte bukuria.

E duke bredhur kudo, me shoqet e saj,

Çelnin lulet në lëndinat, ku ajo kalonte,

Pa e ditur më vonë, se çfarë do t’i ngjaj,

Nga jeta me dritë, në errësirë do jetonte.

Sepse Plutoni, Perëndia i ferrit një ditë,

Shumë qe mërzitur, i lodhur në errësirë,

Vendosi që të dalë, për pak orë në dritë,

Në rrëzë malit Ena, po kënaqej i shtrirë,

Tek liqeni kaltërosh, më i bukur në Siçili,

Aty çdo përrua, sillte ujë tek Perguza,

Me aromën epsh ndjellëse për dashuri,

E freskinë dehëse, të ëmbëlsohej buza.

Në këtë gjëndje dehëse Plutoni rënkonte,

Kur pa vajzat, lule mblidhnin në lëndinë,

E në mes tyre Persefonin, që rrezatonte,

U plagos nga sharmi i saj, plot shkëlqim.

Se ishte vajzë perëndie, që tokës i sjell,

Stinët më të bukura, ku gjithë lulet çelin,

Bujku e vreshtari, pemë e vreshta mbjell,

E pastaj, të ëmblat fruta, prej tyre i vjelin.

Por, që Demetra s’ja jepte, këtë e dinte,

Prandaj, rastin më të mirë s’do e gjente,

Dhe një ditë tjetër si kjo, më s’do të vinte,

Prandaj vendosi, Persefonin ta rrëmbente.

Por edhe Jupiterit, ai pëlqimin ja kërkoj,

Me karrocën e tij të zezë, shpejt vrapon,

Kufirin që ndan, nga bota e gjallë të kaloj,

Nga bota e vdekur, aty tek lumi Akeront.

Persefoni e dëshpëruar, hedh në lumë,

Tufën me lule, që në dorë po e mbante.

Por, nëntë ditë e nëntë netë, rri pa gjumë,

E pa ngrënë Demetra, për vajzën qante.

Po thahej bimësia, s’kish më gjelbërim,

S’po kujdesej më ajo, çdo gjë po thahej,

Por Jupiteri kur e sheh kështu në pikëllim

Dërgon Mërkurin, që Persefoni të mbahej.

Që asnjë lloj ushqimi, aty të mos hante,

E nga uria e madhe, Persefoni u dorëzua,

Se kur pa shegën e kuqe, filloi të qante,

S’e mbajti dot premtimin, që u këshillua.

Dymbëdhjetë kokrra, Plutoni i kish dhënë,

E shegës së kuqe, s’mund t’i rezistoje dot,

Por Persefoni, gjashtë kokrra kish ngrënë,

Kur mësoi për ligjin hyjnor, u mbytë në lot.

Sikur një kokërr shege të vetme, të haj,

S’do të ktheheshe, në botën e gjallë më,

Jupiterit i erdhi keq, për Persefonin pa faj,

Dhe ligjin hyjnor ndryshoi, vetëm për atë.

Gjashtë muaj me Plutonin do të qëndroj,

Në mbretërinë e të vdekurve në errësirë,

E gjashtë muaj me nënën, që të lulëzojë,

Bimësinë,se ish kthyer toka në shkretëtirë.

Po vuanin njerëzit nga thatësira në tokë,

Me kthimin e Persefonit vjen dhe pranvera,

E pastaj bimësia gjelbëron, me lule plot,

Për këtë kjo legjendë, ka më shumë vlera.