LEFTER SHOMO
TI GRIMCË E POEZISË TIME
Ej, vargjet e mi të këngës vatra
Si guraleca ju mbledh , ju gdhend
Endërrime shpresash, vegime flatrash
Ju ledhatoj, mjerisht diku ju dhemb
Po ju trajtoj si këngë të shenjta
Në telespot kurrë s’ ju kthej
Ju dua llavë, pasqyrë të drejtash
Si dufi im sa herë shpërthej.
E dashur, të cek me vargje ledhatore
Gëlon në zemër çdo poezi
Të prek me fjalë, puthje hyjnore
Çdo skutë ku duart, buzët s’ arrijnë.
Ti grimca nga kjo poezia ime
Bëhu e kohës buri, jehonë
Pëllumb i paqes me lajmërime
Lulëri njerëzie plot aromë.
I dua ligjërimet e së mirës
Çdo këngë, çdo cicërimë admiroj
Të prapmen anë të kohës, hapësirës
Në kaltërsitë e vargut të dalloj.
E thith çdo mendim si bimët vesën
Që zgjohet, fle, merr frymë në varg
Brenda një saksie e mbyll pranverën
Mbush me pëllumba qiellin tejelarg.
S’ ju dua kurrë vargje të mekur
Ose si një videokasetë që ngec
Le të jenë shpesh si mot i vrenjtur
Mbi shkëmb të jetës, shtoj guralec.
