Ti vazhdon t’i tregosh përralla…Luan Rama


Luan Rama

—-

Ti humbe fëmijën

në të pestin vit, në maj,

lulëkuqet thyheshin në erë

dhe ti vazhdon t’i tregosh përralla

në vitet që shkojnë

në vitet që vijnë

aromë qumështi e hiri,

zgjat duart ta përkëdhelësh me sytë e tu të njomë

me sytë e tu të vagët

pa mundur të pranosh vdekjen e tij

një ditë rozë

nën lulet e qershisë.

Ti humbe gjithçka

diellin dhe hënën

dhe vazhdon të thuash se janë gjithnjë aty

nën flladin e hidhur që shkon

mbi kokën tënde të lodhur

nga zgjëndrat dhe ëndrrat

duke besuar gjithnjë në kthimin e tij

me kalin e drunjtë harruar në dritare

duke thënë se është një kalë fluturues

që vjen tutje nga magjitë e reve.

Veç një gjë nuk humbe ti

nanurisjen dhe dashurinë e pjellës

me puthjen e tij të fundit

që përsëritet çdo mbrëmje si psalm

për të të vënë në gjumë

dhe ashtu në terr

me duart e zgjatur, ngrohur nga fryma,

ti vazhdon t’i tregosh përralla

që ai të dremisë mbi gjinjtë e tu të ngrohtë

mbi buzë dhe qerpikë

kështu,

ti vazhdon t’i tregosh përralla gjer në ag…