Veshja tradicionale dardhare të shpallet “kryevlerë kombëtare e trashëgimisë kulturore jomateriale”-Nga Arian Çika


Përgatiti Arian Çika

#DardhaMagicHeritage.

Duke marrë shkas nga vendimi i këtyre ditëve të Këshillit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale” të drejtuar nga Ministrja e Kulturës Elva Margariti që shpalli zyrtarisht veshjen tradicionale mirditase me statusin “Kryevlerë Kombëtare e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale” është domosdoshmëri që krijohet nga ekspertët e kësaj fushe dosja përkatëse e veshjes të quajtur në etnografinë shqiptare si “veshja tradicionale e grave dardhare” për të marrë statusin e mësipërm.

Veshja tradicionale dardhare është vlerësuar nga etnografët vëndas dhe të huaj si një nga veshjet tradicionale me të spikatur në kostumografinë popullore të Shqipërisë dhe Ballkanit për bukurinë, elegancën, kombinimin e ngjyrave dhe simbolikat në tekstile dhe aksesorë etj, ku shkëlqimin superior e shfaq në vallëzimet popullore.

Veshja Dardhare meriton të shpallet pasuri kombëtare si një veshje me vlera të larta etnografike – kulturore unike të trashëgimisë jomateriale të Shqipërisë e më gjerë si një trashëgimi e njerëzimit.

Shtrirja gjeografike e përdorimit të kësaj veshjeje përfshin disa fshatra si Dardha, Sinica, Qyteza, Arrëza, komunitetet e të cilëve i ka përfaqësuar kjo veshje e cila fatkeqësisht është në rrezik.

Me qëllim rijetësimin e traditave autentike të prodhimit e qepjes të elementëve përbërës të kësaj veshje është koha të merren masa për ruajtjen e kësaj pasurie të paçmuar për tja transmetuar “të gjallë” brezave dhe jo si një relike në stendë muzeu etnografik.

Mendoj nevojitet një bashkëpunim midis përfaqësuesve të pushtetit lokal e shoqatave dardhare, sinicare, qytezare, arrëzare për të marrë masa të përbashkëta për kontaktimin e unifikuar zyrtarisht me protokoll për vlerësimin e veshjes etnografike dardhare në shtrirjen gjeografike të saj duke komunikuar për bashkëpunim me ekspertët e autoriteteve shqiptare që paguhen nga taksapaguesit për ruajtjen e trashëgimisë kulturore si në gjithë botën e qytetëruar.

Ligjet janë në fuqi për këtë qëllim, nevojitet vullneti i mirë.

Veshja mirditore u miratua falë inisiativës të shoqatës përkatëse e cila bashkëpunoi për plotësimin e dosjes përkatëse.

Pas fitimit të statusit të veshjes mirditore si Kryevlerë e Trashëgimisë, do pasojë projekt financimi për rijetëzimin e veshjes mirditore sipas traditave të hershme të menaxhuar nga ekspertët etnografisë për të garantuar autenticitetin.

E njëjta rrugë e hapur mund të ndiqet edhe për veshjen dardhare që statusi i të cilës si Kryevlerë e Trashëgimisë Kombëtare të mundësohet deklarimi zyrtarisht në datën 15 gusht 2024.