Ylberi i thyer-Kadri Kadriu


YLBERI I THYER

1. Dielli në zjarr

Flaka e hiri

Gërmojnë

Varrin e artë

E përplasen me diellin

Që shuhet në zjarr.

2. Ylberi i thyer

Flutur pas fluture

Në ngjyrën e detit

Grimcohet

Në mes të ylberit

E madhe është

Lindja e blertë

Në asfaltin e jetës.

3. Matje e pamatur

Retë

Rrjedhin diell

Pëlhurë e verës

Kurorën

Ia mat lisit

Gurë të pagdhendur

Afër çdo rrashte

4. Lulet plastike

Hijet kallen

Në fijet e barit

Të unazës së verdhë

Në këllëfin e ditës

Lulet plastike

Hije e thellë…

5. Ujqit e metaltë

Flaka as hiri

Zotit s’ i mbetën borxh

Përpara vdekjes

Ulërimë

Në qytetin e vjetër

Dhëmbët u ndritin

Ujqve të metaltë

Në qytetin e ri…

6. Në tela rrufesh

Në simfoninë qiellore

Sytë e Mocartit e të Betovenit

U bënë copë e grimë…

Gishtërinjtë e thyer

Nëpër tela rrufesh

Endin vetëtimë.

Podujevë, 1979.