Të duash ty:nga Majlinda Pajaj


Majlinda Pajaj

Të duash ty

Të duash ty, eshte si me shkallë të prekesh diellin

Ti një shkëndi, që në zjarrin e jetës më mbeti,

Të duash ty, sikur njerëzve u rrëmben planetin,

Je drita e mëngjesit, që ylli polar treti.

Të duash ty, të gjesh perlën në fund të detit,

Valët e shpirtit, që në trekëndëshin e Bermudes nuk mbyten,

Të duash ty, shkëlqimi i vesës në gjethe kur fjeti,

Puthjet e padhëna, nga pritja kurrë nuk vyshken.

Të duash ty, zemra e mbrëmjes në muzg,

Ngjyra e kuqe, që feks pas shiut ylberi,

Të duash ty, si ëndrra e lirisë për një murg,

Parajsa që kurrë nuk errësohet nga Ferri.

Të duash ty, melodi qiejsh luajtur si një vals,

Akorde shpirti tretur vijave në pentagram,

Të duash ty edhe perënditë vënë buzën në gaz,

Të duash ty, ëndrra dhe pasioni që unë kam.