PREJ TEJE
Nga shkëmbi yt forcën e morëm,
breg më breg korrnim thekërishtet,
fidanet e lisave shpirtit i mbollëm,
zgalemëve u merrnim krahët në fluturim.
Ditëve bëheshim tinguj baladash,
netëve ngriheshim yje alpine,
maleve pinim këngët e gurrave,
detit forcën e dallgëve gjëmim.
Fushave u merrnim brazdat e ballit,
varreve, oshëtimat epike,
prej teje morëm qëndresën e Prometeut,
emrin e shqipes lavë ndër vite.
Ti nuk na bëre as robër, as invadorë,
na dhe agimin e revoltës së territ,
prej teje morëm mesazhin e ëndrrës,
planetin dashuri bashkuar si yjet.
Na mësove të duam e të urrejmë urrejtjen,
tri krismat e Parisit të mbeten ndezë,
nga shpirti na dhe habinë e Dizhonit,
dy maja malesh, Gjergj e Terezë.