A është Hashim Thaçi tradhtar apo patriot ?!Nga Kosova-Shefik Sadiku


Nga Kosova-Shefik Sadiku

Në vigjilje të Pavarësisë

A është Hashim Thaçi tradhtar apo patriot ?!

Në përvjetorin e pavarësisë së Kosovës, të gjithë ne që jemi të rritur na kujtohen ato momente gëzimi që, për gjithmonë do t,i kujtojmë. E pamundur është që në imazhet e asaj dite të 17 shkurtit të 2008-ës, të mos na dali në mbamendje Hashim Thaçi atëher Kriministër i Kosovës, i cili e shqiptoi atë fjalinë e famshme: “ 

SHPALLIM KOSOVËN SHTET TË PAVARUR  DHE DEMOKRATIK“

Rrjedhat nga ajo ditë e deri sot dihen. Shtrohet pyetja logjike pas gjithë asaj që është thënë e shkruar gjithçka keq e denigrueshëm dhe pas gjithë asaj që është thënë e shkruar mirë dhe lavdrueshëm për Hashim Thaçin se, a është ai tradhëtar apo patriot ?! Të dyja këto epitete janë thënë për të. 

Fjala tradhtar në Fjalorin e gjuhës shqipe spjegohet kështu:

“TRADHTAR m.

1. Ai që del kundër atdheut, popullit etj., duke u bashkuar me armikun, duke bashkëpunuar me të ose duke bërë punën e tij; ai që bëhet armik, duke kryer veprimtari spiunazhi kundër popullit a vendit të vet, duke nxjerrë të fshehta të rëndësishme, duke u arratisur në një vend tjetër etj.; ai që nuk u qëndron besnik parimeve, ideve a një çështjeje të madhe; ai që shkel betimin, ai që tradhton. Tradhtarët e popullit (e atdheut). Tradhtarët e klasës punëtore”.

Kurse kuptimi i fjalës tradhti është ky:

“TRADHTI f.

1. Veprimtari armiqësore, që kryhet kundër atdheut, popullit etj., duke u bashkuar me armikun, duke bashkëpunuar me të ose duke bërë punën e tij; qëndrim prej tradhtari i dikujt, që kryen veprimtari spiunazhi kundër popullit a vendit të vet, nxjerr me dashje të fshehta të rëndësishme, arratiset në një vend tjetër etj.; largimi si tradhtar nga parimet e idetë nga një çështje e madhe; shkelje e betimit. Tradhti e lartë. Tradhti e hapur. Tradhti ndaj atdheut (ndaj popullit). Zbuluan (dënuan) tradhtinë”.

Kuptimi i fjalës patriot:

“PATRIOT m.

1. Ai që do atdheun dhe popullin e vet dhe që u shërben atyre me besnikëri, ai që lufton me vetëmohim për të mbrojtur interesat e vendit e të popullit të vet; atdhetar. Patriot i vërtetë (i ndershëm, i shquar, i flaktë). Patriotët antifashistë. Gjaku i patriotëve. Lufta (përpjekjet) e patriotëve.

Kuptimi i fjalës patriotizëm është ky:

“ PATRIOTIZËM m.

Dashuria për atdheun e për popullin e vet dhe gatishmëria për t’u shërbyer atyre me besnikëri, ndjenja e lartë e detyrës për të mbrojtur me vetëmohim interesat e atdheut dhe të popullit të vet; atdhetari. Patriotizëm i flaktë (i madh, i lartë). Patriotizmi popullor. Patriotizmi socialist. Patriotizmi i masave. Patriotizmi i rilindësve tanë. Ndjenja (shprehja) e patriotizmit.

Është thënë dhe vazhdon ende aty-këty të thuhet se Hashim Thaçi e lexoi deklaratën e shpalljes së Pavarësisë dhe këtë deklaratë nuk është dashur ta lexojë Hashimi, por dikush tjetër. 

Kur thuhet e lexoi Hashim Thaçi më shumë tingëllon si çështje tenike, sepse sipas kësaj Deklaratën ka mundur ta lexojë gjithkush nga shqiptarët e Kosovës, madje ndonjë aktor do ta lexonte shumë më mirë estetikisht dhe emocionalisht se Hashimi.

Kur thuhet se do të duhej ta lexonte dikush tjetër, tingëllon si çështje politike, sepse sipas kësaj e lexoi Hashimi , sepse në ato momente ishte lideri më i votuar në zgjadhjet e nëntorit të vitit 2007. 

Është e vërtetë se në histori ndodh që i njëjti person nga patrioti në fund të përfundojë në tradhtar dhe anasjelltas , nga tradhtari të përfundojë në patriot ! Historia ia “falë” personit të dyja këto mundësi.

Marrë parasysh këto a mund të konkludojmë se Hashim Thaçi bie në taborin e tradhtarit apo patriotit?! Kush duhet ta jep verdiktin për një personalitet në i takon epiteti i tradhtarit apo i patriotit? Cili institucion legal shtetëror, moral apo humanitar e ka këtë mandat ?

Shikuar historikisht dhe nga historia më e re shqiptare, del se për shumë  personalitete tona historike, nga individë, qarqe, media, forume janë shqiptuar jo pak herë edhe epitete tradhtarësh. Këtu janë përfshirë Isa Boletini, Idriz Seferi, Ibrahim Rugova, Hashim Thaçi, Azem Bejta, Shaban Polluzha, Fadil Hoxha etj etj !

Fenomeni i tradhtisë mund të ketë dy forma, dy rrafshe, dy trajta apo diç të ngjashme. 

Udhëheqësi mund të jetë i tradhtuar nga dikush, por që nuk tradhton vetë jo me vetëdije të plotë dhe forma e dytë, udhëheqësi mund me vetëdije të tradhtojë interesin kombëtar. Të dy format janë të dëmshme, por moralisht, përmbajtësisht, humanisht nuk janë të njëjta.

Lideri politik gjatë karierës së tij sfidohet nga rrethanat shoqërore , polike dhe gjeostrategjike e gjeopolitike të kohës. 

Dy figurat qendrore të historisë politike 30 vjeçare të shqiptarëve të Kosovës janë Ibrahim Rugova dhe Hashim Thaçi. Adem Demaçi dhe Adem Jashari janë figura të mëdha kombëtare, por jo të formatit politik në kuptimin e mirfilltë të fjalës. Dy Ademat janë figurat më emblematike të sakrificës, qëndresës dhe idealit. 

Ibrahim Rugova dha Hashim Thaçi nga veprimtarë kombëarë kanë kaluar në figura politike. Si të tillë secili prej tyre ka vepruar në rrethana specifike, ndonëse jo aq larg në rrafshin kohor. Secili nga këta ka pasur vizionin, platformën, rrugën për çlirimin e Kosovës nga robëria. Kjo ka qenë kauza që i ka bashkuar. Gjatë veprimtarisë së tyre secili ka pasur veprime dhe momente, që për njerëz të caktuar këta kanë rrëshqitur në akte” tradhtie”. 

Epitetin e tradhtarit më shumë ia kanë “ dhuruar” Hashim Thaçit, ndoshta edhe për jetgjatësinë më shumë në politikë apo edhe për momente  më të ndjeshme të vendosjes për fatin e Kosovës. 

Duke mos marrë as guximin dhe as të drejtën për t’ u rreshtuar as në taborin e atyre që këto dy figura historike, sidomos për Hashim Thaçin si subjekt i këtij shkrimi, i etiketojnë tradhtar, as në taborin atyre që këto figura i stolisin me epitetin e patriotit, personalisht mendoj se patriot është çdo njeri, i cili me mundësitë dhe dijen që ka mjafton të mos pranojë të veprojë apo të flet kundër kombit të vet, edhe kur nuk i jepet mundësia ta ndihmojë me diç konkrete. 

Historia është cjykatësi i fundit që ua përcaton vendin figurave politike e historike të një kombi dhe shteti.