Ah, demokraci!…Vaso Papaj


Mund të jetë një imazh i 1 person dhe syze

Ka kaq kohë, edhe hëna më s’ kalon këtej nga ne,
E prapë zemra fërgëllon, kur kujtoj atë dhjetor,
Kur pranvera fort trokëlliti pragun e dimrit me re,
Ndaj përsëris prapë emrin tënd, si i yti shërbëtor.

Ah, e dashura demokraci, pse u ktheve në acar?…
E kujtoj mirë festën tënde, si arriti me aq mund…
Sa do t’doja, ai dhjetor mos të zhytej kurrë në varr
Dhe një ditë, e jotja festë, t’ishte shekull i pafund.

Prapë mbi male suferina, prapë ka dimra pa liri,
Mos u bëj më lojë fëmijësh, një dhuratë burri prej bore.
Ndaj provoje dhe një herë, s’je një kukull për stoli:
Je shqiponja krahëfortë përmbi tokën arbërore.

Mikja ime, as në ëndrra, tërë natën nuk m’u ndave.
Morën rrugën dallëndyshet, të kërkonin botë të mbara.
Për triumfe e dështime folëm gjatë dhe ti m’u qave.
-Ktheu në atë dhjetor,- më the. – Prapë t’ia nisim nga e para.