Andrea Varfi-Buzë detit këtij prilli


ANDREA VARFI

Buzë detit këtij prilli

Poezi nga Andrea Varfi

Nëpër ullinjtë e bleruar,

… më ngjan, Vlorë, turtulleshë.

Po pse s’këndon më t’aguar,

ti trimoshja labëreshë?

Buzë detit, këtij prillit,

jemi sot në pranverë!

As edhe erë trëndafilit

s’po të ndjej më kësaj herë.

Shoh një çerdhe të ronitur

përmbi rrapin gjethe-rrjepur:

dhe bilbilat, të nemitur,

në Beun do jenë tretur!

Vetëm te çati e zbehtë

po shoh ca haxhilejlekë,

më kujtojnë ata të shkretë,

Anadollin me zejbekë! …

Po te pusi, n’ato hane,

Dëgjoj, Vlorë, këngën labçe:

ndjej… si shemben istikame,

dhe thirrjet “Viva la pace”.

Vlorë, o ylli ynë i rrallë,

dhe në heshtje, ti s’hesht kurrë,

ti sërish do jesh në ballë,

do të ngresh dhe gurë dhe drurë!

Ndiej: po ngrihet kënga labçe,

nga Çipini gjer te Çika

ti sërish “Selam Musaçe”

do ta zësh “topin nga gryka”!