Duke menduar për atdhedashurinë-Llesh Gjoka


Atdhedashuria ngul rrënjë së pari nga vetja jonë
Mos prisni fjalime dhe thirrje të ndezta
Eposi i saj nis me një fill zjarri të lashtë
Të endur qëmoti ndër shekuj dhe breza.

Dhe ne s’mund të bëjmë një tjetër gjë më fisnike
Më tepër se një avlëmend që end fillin e zjarrtë
Që thur për sot dhe për të ardhmen e bijve tanë
Atë që është rrënja e shkëmbit dhe na bën krenarë.

Atdhedashuria ka zulmë, ka hisen e madhe
Ka pjesën e diellit, të tokës, të ujërave
Ajo është puthje e shenjtë që bën të buisë
Çdo dru në pyll, çdo fije bari dhe lule.

Kush tha se ajo u vjetërua dhe kufijtë janë shkimur?!
Kush tha se atdheu ngarkohet si valixhe udhëtimi?!
Mos u truani o djem dhe vajza të tokës amë!
Guri i besës është i rëndë!Mos i jepni rrokullimën!

Kush tha se atdhedashuria na qenka një dogmë?!
Dhe të parët e fisit duhet t’i qesëndisim
Këtu kanë lindur dhe prapë do të lindin heronjtë
Pleqtë e urtë si gjithmonë do t’i mallkojnë plëngprishësit.

Atdhedashuria ka lindur këtu e sa shekuj
Është jehu i bjeshkëve tona krenare
Është vlagë e ngrohtë në katër stinë
Është betimi ynë i pakohë mbi varre.