Filli udhërrëfyes i “monologut” filozofik si domosdoshmëri e kohës-Prof.Dr. Zejnepe Rexhepi


* Vështrim për librin e Zekerija Idrizi -t “Monolog mbi monopolin religjioz”

Shkruan: Prof.Dr. Zejnepe Rexhepi

Vepra letrare e llojit eseistiko – filozofik „Monolog“ e Zekerija Idrizit përmban një dimension të ri studimi, ndonëse në stilin tani më të njohur të autorit, në versionin e monologut, gjithsesi me shpalosje tjetërfare të promblematikave tona kombëtare e njerëzore. Është sfida e intelektualit që guximshëm hedh dritë mbi të pathënat e individit në dyluftim me „forcat e errëta“ të kohës. Përgjatë tërë veprës, Ai shpreh autonomi mendimi, edhe pse janë të shumta burime diskutimesh që ekspozojnë qëndrime relative mbi çështjet e shtruara, thelbi i analizës mbetet në sinkron me figurën e intelektualit atdhetar.

Si një studiues i Teologjisë gjatë rinisë së tij dhe „misionar“ i fesë islame në një pjesë të rrugëtimit të tij jetësor, më shumë se kushdo tjetër pati mundësinë që t’i njohë nga afër kodet e pazbërthyeshme që „sundojnë“ mbi të panjohurat e kohës, keqinterpretimet e së cilave e mbajnë mbërthyer individin, pothuajse njëjtë si në Mesjetë. Kjo e intrigon shpirtërisht studiuesin Idrizi, i cili vetëdijshëm ndodhet brenda lëmshit që i pështjellon vlerat njerëzore morale e ato kombëtare, pasi nuk ka frikë që të veprojë në të tilla dilema.

Teza e famshme, sipas së cilës „nuk ka fakte“, por vetëm interpretime, shpjegohet më së miri në hapësirën filozofike të „Monologut“, ku nuk ekziston më e vërteta e vetme, por këndvështrime të veçanta të vërtetash dhe jo më vetëm sipas traditës filozofike teologjike, si në esetë: „Çlirimi im nga prangat e besimit „religjioz“, „Kush do të hyjë në xhenet“ apo „Disa hoxhallarë janë tmerri i Shqiptarisë. Me këtë, Zekerija Idrizi, nuk aludon tek „vdekja e Zotit“ (Niçe), por të kuptuarit e fjalës së Zotit në gjuhën që e di më së miri, zotërimi i fesë sipas kontureve kombëtare, që të jep jo vetëm më shumë liri individuale, por edhe vetëbesim e dinjitet më të fortë kombëtar.

I mbrujtur me intelektin shumëdimensional të dijeve nga teologjia, letërsia, artet, shkencat sociale…, me diapazon të gjerë kulturor e me një gjuhë filozofike, Ai shpreh shqetësim për mendësinë tonë (shqiptare) joevropiane, me ç’rast në humbëtirën e prurjeve të shumta nga të panjohurat e botës së Lindjes, si padashje futemi në rol brenda teatrit absurd.

Thellësia e mendimit të tij prej intelektuali nuk përqendrohet vetëm brenda konceptit tematik të përzgjedhur për këtë vepër, por siç duket vjen nga një lloj rebelimi që nga e panjohura e hershme e njerëzimit, tek Zanafilla, sepse linja midis jetës dhe vdekjes është amalgama më e fuqishme mbi të cilën nuk mund të ndërhyjë as njeriu /zot. Sipas tij, Zoti është metafora e të gjitha mirësive të botës, andaj beson se kjo mirësi e ushqen edhe dashurinë e Atdheut të gjithkujt. Pikërisht për të këtilla pikëpamje, ky libër shpalos zemrën njerëzore të klerikut, i cili horizontin e dijeve dhe pritshmërive të Zotit për preferencat e tij atdhetare, i ka si refleksione të veçanta në epërsinë e mendjes dhe si prioritet i patjetërsueshëm në jetë. Figura e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, Nënë Terezës apo figura e cilitdo atdhetari shqiptar, këtij teologu, i jep nder e krenari deri në përtejbotë! Në këtë frymë fton edhe çdo besimtar tjetër, nëse mbi të gjitha ndihet shqiptar.

Ai, jo rastësisht, veprën e titulluar „Monolog“ e fillon me një shkrim autorial, ku përmes një përsiatjeje të vëmedshme përzgjedh temat mbi të cilat do të duhet ta orientojë lexuesin e tij, si në vijim: „Në tempullin tim libror, duke shkruar një ese. Jeta ime, në esencë, është iluzion. Realisht jetoj e ekzistoj vetëm kur meditoj dhe shkruaj. Një minutë meditim për arsyen e të ekzistuarit, për jetën, për universin dhe për vetë Zotin është më e mirë se mijëra liturgji fetare… Konstante (e përjetshme) mbetet vetëm shkrimi, libri, që do të përdëshmojë të menduarit ndër shekuj e breza. Pikërisht për këtë arsye ka vite e vite që kam mënjanuar oratorinë/retorikën dhe i jam qasur përjashtimisht krijimtarisë, shkrimit, librave“.

Në këtë vepër eseistiko – filozofike, ku çështje kyçe është meditimi mbi ekzistencën e njeriut dijetar/shkrimtar, rëndësisë së librit dhe sagës për dije, autorit priret për ta deshifruar thënien e profetit Muhamed: „Ngjyra e penës së dijetarit/shkrimtarit është më e çmueshme se gjaku i dëshmorëve“, që nënkupton qenësinë e njeriut midis dilemash dhe zbrazëtish shpirtërore deri tek përmbushja emocionale, si mision i dijetarit në tokë për ta hapur shtegun e kuptimit të jetës deri në përtejjetë!

Me frazën „Kështu V E T Ë R E A L I Z O H E M“, të vendosur në Fjalën autoriale, Zekerija Idrizi i referohet njohjes së botës përmes librit, leximit të vazhdueshëm dhe…, jo vetëm! Një përsiatje e fortë e udhëheq drejt kodeve të mistershme! Ai përpiqet që dashuria dhe respekti për vlerat kombëtare të mos jetë vetëm koncept, por ide madhore e pamohueshme e cilitdo klerik mysliman…, dhe ky mbetet një parim i pandryshueshëm në përsiatjet e tij tek „Monolog“.

Është tejet e qartë se busulla drejtuese për studiuesin Idrizi është dashuria për kombin, atdheun, gjuhën, mësuesit që e edukuan, personalitetet tona kombëtare të ngritura ndër shekuj…, por edhe studimi për fenë islame, besimi si detyrë e devotshmëri, e të gjitha këto mozaikë të rëndësishëm janë nëntemat e përzgjedhura në vepër, nga të cilat do të veçonim disa:

*Botëvështrimi Rilindas kombëtar;

*Çlirimi im nga prangat e besimit „religjioz“;

*Erdoganizmi dhe Neo-otomanizmi e rrezikojnë substancën tonë kombëtare në Ilirikum;

*Ti pagëzojmë fëmijët me emra shqip;

*Hoxha palaço dhe psikologja sharmante;

*„Kush do të hyjë në xhenet;

*Shkollat tona nuk duhet të fetarizohen;

*A ka jetë pas vdekjes.

* Parajsa dhe ferri;

*Pa dialog e harmoni në mes religjioneve nuk ka paqe në botë midis nacionaliteteve, kulturave e qytetërimeve;

*Pa dashuri nuk ka raporte të shëndosha ndërnjerëzore;

*Jeton shqiptarisht, të varrosin arabisht;

*Disa hoxhallarë janë tmerri i Shqiptarisë;

*Shkupi – kjo Mekë e Shqiptarisë.

Temat e parashtruara në veprën „Monolog“ në themelet e një shqyrtimi analitik janë të thella, tek gjeneza e mendimit njerëzor dhe përpjekjes së njeriut për ta njohur veten, mirëpo interesi për një historiografi të kombit shqiptar duhet të zhvillohet midis lëvizjesh tjera thelbësore. Për të është i pashmangshëm hidhërimi dhe rebelimi ndaj atyre që ia shesin shpirtin djallit, duke mohuar komb e Atdhe, në parapëlqim të ndonjë gjuhe të huaj, si turko-arabo-persiane, që nuk e ka shpirtin dhe madhështinë e shqipes sonë. Kështu, temat: „Ti pagëzojmë fëmijët me emra shqip“, Shkollat tona nuk duhet të fetarizohen“, „Jeton shqiptarisht, të varrosin arabisht“, „Disa hoxhallarë janë tmerri i Shqiptarisë“…, janë qasje shumë e rëndësishme e teologut Idrizi, dhe e çdo intelektuali të formuar kombëtarisht, sepse pa gjuhën nuk e mbron dot identitetin kombëtar, pa të cilin madje as e kupton dhe e realizon besimin fetar.

Të gjitha këto çështje të ndjeshme kërkojnë zgjidhje, veçmas ato kombëtare, të cilat nuk lejojnë përligjje nga klerikë që veprojnë për interes vetjak. Në këtë gjendje të ngatërruar ku ndodhet populli shqiptar brenda dhe jashtë kufijve të shtetit amë, tek ky autor e merr formën e idesë slogani i Rilindësve: „një gjuhë, një komb, një Atdhe“!

Për studiuesin Idrizi, kombi është themeli i të gjitha vlerave, por mjafton që individi „i zhytur“ në humnerën e keqbesimit, ta kuptojë se gjykimi mbi Atdheun – Tempullin jetik është koncept i pasfidueshëm, dhe qëndron fort në harmoninë e paravendosur në zemrat e miliona shqiptarëve.

Teologu dhe studiuesi Idrizi bashkëveprojnë në paqen e shpirtit, duke u pozicionuar shpesh në „vetëizolim“, si forma më perpekte e vetëdisiplinimit, gjithmonë midis librash e në përsiatje të thellë mbi jetën, krijimtarinë, kauzat njerëzore e kombëtare… dhe vdekjen. Soditja në vetmi, i shoqëruar mes librash ia përcakton edhe vendqëndrimet e parapëlqyera, siç shprehet: „Kam tri vende stacionimi e përqendrimi, ku kryesisht zhvilloj meditimet dhe shkrimet e mia: në bibliotekën time private në banesë, që e quaj teqe e kasolle eremiti-asketi; në Kafenenë (kafene-librari buzë banesës sime) “Heinrich und Nathanja”, e mbushur me plot libra gjithëfarësh, dhe buzë lumit “Landwehr” të Berlinit. Këto vende në njëfarë mënyre janë “Jasna Poljana” ime dhe “hali” tesavufian gazalian, ku zhvilloj përsiatjet e mia teozofike“.

Ky përcaktim trilogjik i vendeve të leximit është një përmbledhje tipike e dijetarit/shkrimtar që përmes simbolikës së Jasnaja Poljanës, vendlindjes së shkrimtarit të madh rus L. Tolstojit të shpjegojë figurativisht peshën e vendlindjes/atdheut që është pengu i përhershëm i njeriut, veçmas atëherë kur vetmia i shndërrohet në domosdoshmëri, me bindjen se: „vetmia ishte tipar i profetëve, mistikëve, eremitëve dhe shkrimtarëve e mendimtarëve shkencëtarë e filozofë. Në botën e vetmisë u krijuan perlat dhe veprat njerëzore, që i bënë dritë botës ndër breza e shekuj në histori. Prandaj, jo më kot, thoshte filozofi Arthur Shopenhauer: “Vetmia është fat i njerëzve të mëdhenj”.

Besoj se ky libër eseistiko-letrar e filozofik, me një sërë trajtesash të veçanta në të do të jetë kërshëri e çdo lexuesi të përhumbur në kërkimin e së vërtetës për jetën dhe përtej saj dhe që me ngulm kërkon paqe me veten!

Prof. Dr. Zejnepe Alili Rexhepi