Filozofia e së dielës-Gerta Bandilli


Gerta Bandilli

3.

Kujtimet rendin bashkë me njeriun në rrugën e tij. Maksi i kishte mbledhur kujtimet një nga një dhe i kishte ruajtur në kujtesë me shumë kujdes. E dinte se njeriu nuk jetonte më po t’u kthehej kujtimeve. Po ç’kujtime zeza, ai më shumë kishte ditë të këqija sesa të mira. Më kot përpiqej t’i mbushte mendjen vetes se jeta kështu është për të gjithë. Disa sa zgjatin dorën e arrijnë atë që duan.

Iu afrua derës së madhe, të rëndë e të xhamtë dhe para se ta shtynte pa te pasqyruar veten e vet; nje dyzet e tetë vjecar, dikur ndoshta i pashëm, por që jeta ia kishte kërrusur shpatullat që herët. Duke shtyrë derën një mendim i feksi aty për aty, çdo të bënte me jetën e tij të grindur. Në të njëjtën kohë dikush nga ana tjetër po e tërhiqte derën dhe të dy u përplasën me njëri-tjetrin. Ishte një grua brune tiparet e errëta të së cilës i shkonin tej mase me shikimin e saj.

– Më falni! – nuk ju vura re.

Gruaja nxitoi të dilte, e sigurt se e kishte hutuar me pamjen e saj, por pavarësisht kësaj shikimet e tyre u ndeshën.

– Jo më falni ju mua. Nuk ju vura re…unë…nuk…- u përpoq të fliste Maksi, por gruaja u zhduk shumë shpejt, sikur e përpiu dheu.

Është mëngjes mendoi Maksi, me siguri nxitonte për në punë ose për diku. Nuk e kishte ndeshur më parë, as në market dhe as në lagje, por atij nuk i kërkonte kush t’i njihte të gjithë. Ai e dinte në atë orë në market, nuk gjendej njeri, vetëm pronarja, që nga dera e prapme mbante shënim furnizimet e reja…

Nga: ” Lotët e trishta të një burri”