Gjuha ime-Qerim Skenderaj


Qerim Skenderaj

Gjuha ime nëpër vite,

Është përsosur, lartësuar.

Fjalët ar e rreze drite,

Me ngjyra folur e shkruar.

Mes figurash elegante

Vallëzonë si balerinë.

Fjalë e zgjedhur, delikate,

Përcjellë ritmin, melodinë.

Nektari i gjuhës – nënë

Hoje fjalësh ka si lëndë,

Ndrinë e vezullonë si hënë

Kur hedh vellon e argjëndë.

Edhe pse në dhe të huaj

Më shkëlqen fjala në gojë,

Më ndezë të gëzoj, të luaj,

Të shkruaj e të kujtoj.

Ta qëndis bukur në vargje,

Të ngrohtë ta ruaj magjinë.

Si brum i ardhur në magje,

Ta mbështjellë dhe poezinë.

Të mos i vyshket blerimi,

Lulet e çdo vlerë e artë,

Hiret që këndoi Naimi*,

Dhe fjalët e ëmbla mjaltë.