Hasan & Irma Kurti: “Një njeri si të tjerët”


Vajtja në lulishten e qendrës së qytetit është bërë tashmë një ritual.

  • Ik, – më thotë gruaja, – sot kam ditën e telefonit me motrat.
    E ndien mungesën e tyre. Në Tiranë takoheshin ose dëgjoheshin çdo ditë në telefon, këtu është e pamundur. Megjithatë, nuk e shoh të mërzitur, ndoshta sepse ka vajzat pranë. E ka marrë me filozofi qëndrimin për një kohë të pacaktuar në Itali. Nuk e mendon kthimin, por jeton ditën. Ndoshta kjo duhet të jetë ajo që duhet të bëjë gjithsecili nga ne.
    Pasi flet me Thëllëzën, me motrën me të cilën ka një raport më të ngushtë, i shkëlqejnë sytë dhe fillon të komentojë bisedën. Ajo që i ka lidhur më tepër nëpër vite është fakti që të dyja kanë vajza dhe i ndajnë së bashku hallet e shqetësimet e përbashkëta. Edhe në këto kushte fëmijët janë përparësi për të, nuk i pëlqen të flasë për sëmundjen ose për veten, por vetëm për ato. Është e çuditshme sesi një nënë harron veten në emër të dashurisë për bijtë e saj.
    Stolat janë plot me të rinj e të moshuar. Nuk shoh ndonjë të njohur, me siguri s’kanë dalë ose janë në lulishten e anës tjetër të rrugës kryesore. Kam nevojë të rri vetëm, në qetësinë dhe vetminë time. Ndërkohë, po pres Lilin, e cila punon disa orë pranë një familjeje në Città Alta, që e ka njohur kur jetonte atje.
    Ora është 11 dhe, megjithëse në hije, rrezet e diellit që depërtojnë përmes gjetheve të pemëve janë të nxehta. Ato i japin një dritë të veçantë gjithçkaje. Ka lule shumëngjyrëshe dhe plot tulipanë. Po të ishte edhe ime shoqe, sot mund të bënim një fotografi, duke e ndarë bashkë bukurinë e kësaj dite. Po të ishte dhe ajo, do të flisnim për vajzat tona ose, nëse situata do të ishte ndryshe, për kthimin tonë në Tiranë. Por shëndeti i saj është parësor dhe i kalon në plan të dytë të gjitha projektet e tjera.
    Kohët e fundit ka humbur peshë dhe unë këtë e përligj me faktin që ha pak dhe s’fle mirë. Kur gjykoj kështu, nuk jam mjek, por një njeri si të tjerët, që e do gruan, nënën e fëmijëve të tij, me të cilën ka jetuar 41 vjet dhe që dëshiron shërimin e saj përtej çdo diagnoze dhe parashikimi ogurzi të bluzave të bardha.
    Nga larg dalloj Lilin, me flokët kaçurrel, që mbeten të palëvizshëm edhe kur fryn erë e fortë. Më përshëndet me dorë dhe vjen drejt meje. Na ka hapur dyert e shtëpisë dhe të zemrës. Me gjithë ngarkesat, punën, djalin, familjen, merret me çdo gjë që ka të bëjë me mjekimin e së ëmës, si recetat, vizitat mjekësore, analizat dhe burokraci të tjera.
    Marrim të dy rrugën për në stacionin e autobusit. Për fat, s’na duhet të presim shumë. Zëmë vend pranë njëri-tjetrit. Nuk është orari i shkollave, pra kur nxënësit mbarojnë mësimin, prandaj autobusi është pothuaj bosh. Çdo gjë është e qetë, normale, në ajër nuk ka asnjë shenjë se do të jetë një ditë problematike, nga ato që së fundi po përsëriten gjithnjë e më shpesh. 21 prill 2006

Marrë nga Libri “Kujtimet e një mjeku” shkruar nga HASAN KURTI e IRMA KURTI, botuar në Itali nga Shtëpia Botuese Kimerik, 2020 dhe në vitin 2021 nga Shtëpia Botuese ADA në Tiranë.