Hej… Baba- -Nga Kasam Shaqirvela


Mund të jetë një imazh i 1 person

HEJ… BABA

(Baladë për Babën)

Baba, ka kohë që s’të kam takuar

kaluan dhe vjet që s’je mes nesh

në asnjë cast s’të kam harruar

në ëndrra të trishta të shoh shpesh

dhe, për të t’parë…

kam vetëm një mundësi

m’i rruan ca foto vetë albumi

aty tek sirtari me dashuri

sa herë që më merr malli

për Ty…

i shikoj me nostalgji

flas me fotot një nga një

meditoj,… dhe me to

shtruar, i vetëm bisedoj

gëzohem e çmallem me ty

edhe pse nuk të shoh me sy

por kujtesa ime, imazhin tënd,

ma ruan mes dhimbje-dashurisë

përditët e lumturisë sonë

por ka edhe momente

kur vetminë s’e duroj dot

dhe zhgrehem në vaj

sepse veten nuk e mbaj

prandaj… dhe…

turpërohem të them se,

gjithë ky burrë në moshë,…

si fëmijë po qaj,

tamam si fëmijës

më dalin lot,..

e s’i ndali dot…

mallit i lypi lëmoshë!

*

Baba, ti tani s’më dëgjon

por zemra ma thot se

shpirti yt po më shikon

vetëm ai e di se sa te desha

si kur qava ndëshkimesh

e si kur qesha gëzimesh

dhe, si tani që kam mall,

ashtu kisha edhe dashuri

unë biri yt…në mallëngjim për ty

dhe për dhimbjen që s’ta thoja

sa herë që trupin tend të brishtë

me bisht të syrit ta shikoja…

sikur doja, por…

nuk pyeta dot…

mbase nuk guxoja…

sepseti, Ti i madh ishe…

dhe fjala peshë të kishte

edhe qëndrimi serioz

sikurse lisit,.. të kishte hije

si për dashurinë në familje,

si për fjalët në log burrërie.

*

Më kujtohet koha

kur isha i ri…

fytyrës sime të njomë

akoma brisk pa i ra

kurrë fjalën tënde

nuk ta bëja dot dy..

se, nëna më thoshte:

-baba kështu tha!

pastaj, me kohë,

kur u bëra dhe vetë baba

qëndrimi im majë malit,

pranë kurorës, qetë ra…

eh, dashuria e fëmijëve

të dyve na pati përla…

e tani që u bëra dhe babagjysh

stani m’u mbush plot këlyshë

ah, sa po më rinojnë…

thirrjet e tyre çapkëne,

kur më thuan,

ne erdhëm,.. o gjysh…!

ja erdhëm babush

në kasollen tënde.

*

Jam i vetëdijshëm

për lëshime…,

gabime a dështime

ngritje, rënie

e sërish kapërcime…

të mundimshme

gjatë jetës sime

me gëzime e hidhërime

por dhe kënaqësi

në shtëpinë time

që nuk përsëriten më

as nga koha nuk veniten

e as nga harresa nuk vriten,

prej mbesave e nipave

më vlon shtëpia…

zemra më bëhet mal

kur kacafyten…

qeshin e qajnë…

sepse ashtu rriten

e më duken si lulet në maj.

*

Më del përpara syve

hija e rëndë e jote

që u jepte kuptim

punëve të kësaj bote

me dashurinë atërore

qëndisur principesh

tejet njerëzore…

të pastër e të bardhë

si bardhësi bore.

Nuk e di…

Sadopak të të kem ngjarë,

loti më varet qerpikësh

e s’e mbaj dot,..

por ty, kurrë s’të kam parë

as dhe njëherë të vetme

të derdhësh lot…

nuk të thenin jo

as situate tufanesh plot.

*

Epo tani ç’të them

u bëra dhe gjysh

por s’e di…

deri ku do të arrij

sepse nuk është dëshirë

që mund ta porosis

me veten time

si të qeveris…

por kur të vijë koha

të ngjitem atje lart

tek i kaltri qiell,

të vijë tek Ti…

në të amshimit qiell

shpresa më mban se,

shpirtrat tonë

të bashkuar si qemë

do t’i ngrohë…

po i njëjti diell…!