Herë i kuq dhe herë i gjelbër:Nga Vaso Papaj


Herë i kuq dhe herë i gjelbër

Herë i kuq dhe herë i gjelbër, sinjal semafori,

Shpirti yt, tërë këtë natë, vetëm klith, i gjori

Dhe i heshtur dhe ulëritës, tronditet, lëkundet,

Por gjithë herët përsëri, vetëm mundet, mundet.

Hyjnë e dalin një nga një, heshtur, robër epshesh,

Ndrydhet shpirti n’atë dhomë, si në kuti shkrepsesh.

Sonte ta rrëmbejnë nga sytë, të fundit mik, gëzimin

E më ngjan si ajo flutur, që kurrë s’njeh fluturimin.

Dhomë moteli, heshtje varri, n’atë tangenciale,

Spektatorë: perdet e rënda dhe ca mobilje speciale.

Trupin me qira të dhënë, përmbi shtratin gijotinë,

Dashuri gjen vetëm në ëndrra, ëndrrat fjetur rrinë.

Po ky shpirt që s’duron më, në këtë dhomë të mykur,

Sa herë ndesh një “mirupafshim”, del nga ty pa pyetur.

Dhe i plagosur nga tundimet, blic: i kuq, i gjelbër,

Thellë merr frymë edhe rënkon, rrotull sy të verbër.

“Tak-tak”, te porta prapë. “Hesht!” të thotë mendimi.

Vjen i lirë në trup të lodhur, ngjanë lejlek mërgimi.

Nga kjo dhomë si një robinë, lidhur sytë me detin,

Në qëlloftë të shohësh dallgë, nis mallkon tragetin.

E braktis përditshmërinë, guxon, ikën, s’ke frikë,

Nga një botë që s’di përkëdhelje, nga një botë e ligë.

Dhe shpejton bregut të detit me frymëmarrje të lehtë,

Don të jesh pjesë e kësaj bote, mikes sonë të sertë.