Himn për babanë-Kristaq Turtulli


Kristaq Turtulli

Në harkun e rrjedhës së një bote,

Drithërime Burrërore dhe, jetë të vështirë.

Pranë një kodrine gërryer prej shekujve,

Pranë një guaske prehistorike dremitin pështjellime,

Vërtiten dhe hungërijnë, te vjetër e te rinj mamudhë.

Rrodhën pesëdhjetë vite,

Ati im i shtrenjtë më s’ je.

Vendlindjen shumë e doje,

Më shumë se sytë e tu gështenjë,

Më shumë se ëndrrën e bardhë.

Ndehur në sfond të një udhe.

Ku ishin ndehur leshterikë

dhe lëkundej e trembur një dritëzë e mekur shprese,

Si xixëllonjë.

Mbështetje mjekën mbi gjunjë

Dhe thoshe: Nëse ke në zemër, gaz e dritë, dhuroje.

Dhe, për vete asgjë s’kërkoje.

Hijerëndë, me bukuri fisnike.

Kur ecje,

Hija jote zgjatej tutje

Dhe askush nuk guxonte ta kapte, ta shkelte.

Dikur, bashkëqytetari me respekt kokën përkulte.

Mbasi mirësi, dashuri falje,

Bujari, bamirësi nga vetja jote.

Si familje e madhe,

Ëndërroje dhe shpresoje,

Të ishte Korça jote

Zonjë, e para ndër shoqe,

Ashtu siç kish qenë në mote.

Edhe pse mezi të dhanë një varr të thjeshtë…

Në murin e rrëzuar të ndrydhjeve,

Trusnisë, dashakeqësisës, injorimeve,

Në shungullimën e shuplakës së kujtimeve,

Në guaskën e mendimeve,

Rrëkeja e djersës pikëlonte si kristal në kalldrëme.

Së bashku me pengun e pathënë.

Dritën e paparë,

Shpresën e vrarë.

Luhatej, përkulej hija jote e gjatë,

I lodhur, ballë rrudhur prej mendimeve,

i munduar ngjiteshe,

Në rrugicat e kalldrëmta, zemërvrarë…

I heshturi,

i ndershmi,

i vuajturi,

Fisniku, Bamirësi,

ATI.

Natë e ditë si Ante mbartje

Pallton gri, të reve,

Të halleve,

Të persekutimeve.

Qytetasit të verbër, memecë,

Në shkallët e padijes, injorancës ngecte.

Nuk çanë kryet për ty që bujari u dhe,

Krenari, dituri dhe dritë.

Të nëpërkëmbën,

Të mohuan,

Të tradhtuan.

Të persekutuan

Sa shpejt harruan!

Të zymtë si nata,

U mbështollën me pelerinën e mërisë.

Gjuhëtharë, sydalë.

Mosmirënjohja më e liga e poshtërsive.

Sëmundje e keqe e zvarranikëve.

Dielli shtyhej në qiell, ngucej mes yjeve.

Heshtje…

Rrodhën pesëdhjetë vite,

Në harkun e një rrjedhe jete,

Pranë një ëndrre,

Me lule mendre,

Baba, që nuk je më.

Ne ikëm në kurbete…

TI ATJE mbete.

Prandaj më behet sikur palltoja jote,

E gjatë, gri e halleve,

Lëviz të qytetit rrugicave.

Palltoja e vjetër, nuk ka vetëm ty baba nën vete.

Por gjithë botën e madhe…

KRISTAQ@TURTULLI