Iku kolosi i letërsisë shqiptare Ismail Kadare


Iku kolosi i letrave ne moshen 88-vjeçare, shkrimtari i madh Ismail Kadare.

Kadare lindi më 28 janar 1936 në Gjirokastër, ku përfundoi edhe arsimin e mesëm.  Më 1958 mbaroi degën e Gjuhës e të Letërsisë në Universitetin e Tiranës. Më pas shkoi me studime në Moskë për dy vjet në Institutin e Letërsisë Botërore “Maksim Gorki” (1958-1960). Ai fitoi njohje ndërkombëtare që kur romani i tij “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur” u botua në vitin 1963, kur Shqipëria qeverisej nga qeveria komuniste e diktatorit Enver Hoxha. Libri u përkthye në 33 gjuhë të botës dhe i dha autorit njohje ndërkombëtare. Romani u vlerësua nga gazeta e njohur e Parisit Le Monde si një ndër 100 librat e shekullit XX.

Përpara se në Shqipëri të vendosej pluralizmi politik, pas protestave të studentëve në dhjetor 1990, zoti Kadare udhëtoi me avion drejt Francës, ku kërkoi azil politik. Ai jetoi në Paris, ndërsa vitet e fundit u rikthye në Tiranë. Më 17 tetor 2023, shkrimtarit të madh shqiptar  iu dha titulli i Oficerit të Lartë të Legjionit të Nderit, nga Presidenti francez Emmanuel Macron.