Irma Kurti sjell në shqip librin e tretë të poetit me famë ndërkombëtare Germain Droogenbroodt



Poetja dhe përkthyesja Irma Kurti përkthen në shqip librin e tretë të poetit me famë botërore Germain Droogenbroodt. Libri titullohet “Pika vese” dhe mban logon e shtëpisë Botuese “Youcanprint” në Itali. Janë 100 haiku që mbajnë firmën e njërit prej poetëve më të njohur bashkëkohorë.
Irma Kurti ka sjellë gjithashtu për lexuesit shqiptarë edhe dy libra të tjerë të këtij autori: “Imazh qielli” botuar nga Lena Grafik, 2022 në Prishtinë të Kosovës si dhe “Lulja jetëshkurtër e kohës” botuar në vitin 2023.
“Në morinë e poezive dhe librave që botohen sot, jam e gëzuar të sjell poetin e madh Germain Droogenbroodt përsëri përpara lexuesve shqiptarë” – thotë Kurti. “Edhe në këtë libër me haiku, ndeshim një gjuhë të thjeshtë e komunikuese, por që përcjell mesazhe filozofike që të ndihmojnë të kuptosh dinamikat e jetës dhe të shoqërisë së sotme.”
Germain Droogenbroodt ka lindur në Rollegem të Belgjikës dhe jeton në Altea të Spanjës. Ai është poet, përkthyes, botues dhe promovues i poezisë moderne ndërkombëtare. Ka përkthyer rreth tridhjetë libra me poezi gjermane, angleze, franceze dhe kastiliane. Shtëpia botuese POINT (POesía INTernational), e themeluar nga ai vetë, ka botuar më shumë se tetëdhjetë libra me poezi nga vende të ndryshme të botës. Për shkak të karakterit universal të veprës së tij – poezitë e tij janë përkthyer dhe botuar në 30 vende – si dhe personalitetit të tij, ai është ftuar shpeshherë në lexime dhe konferenca në shumë vende, si në Austri, Çeki, Sllovaki, Egjipt, Rumani, po edhe në Kore, Kinë, Tajvan, Nepal, Japoni e Meksikë. Po ashtu, është nominuar për çmimin Nobel për letërsinë në vitin 2017.
Irma Kurti është poete, shkrimtare, autore e teksteve të këngëve, gazetare dhe përkthyese. Kjo është vepra e 18-të që ajo ka përkthyer nga autorë ndërkombëtarë. Libri “Pika vese” ndodhet në të gjitha libraritë libraritë online.