Emrin e kam Lis.
Lindur në Epir
përpa se ai të ndahej në thela.
Provuan t’a hanin ujqërit në gjithkohën e vet
por dhëmbët u ngelën
në korracën e tij
me gjethe bredhi.
Jam 25 mijë vjeç.
Ndoshta edhe më i vjetër sa dukem…
Në vëndin tim pasuria matet me djem.
Djemtë e mi,
Erakliun, Akilin, Pirron,
Ju i njihni.
Në nuk ua keni frikën maleve të mia,
E keni gabim!
Shqiponjave me kthetra çeliku,
Nuk u hyn në sy armiku!
Kam edhe nipër…
Aleksandrin zotin tuaj nga ku lind e perëndon,
Që ende klith nga brenda varri,
“Jam gjak shqiptari!”,
Se koha bën ende sikur nuk e dëgjon!
Koha që e quan vehten mbretëreshë,
E di se mbretëreshat e vërteta lindin në Epir!
Olimpia, Kleopatra, Teuta në Epirin e ri!
Jam epiriot!
Një fshatar me hark e harpë në dorë,
Faqen e malit plot me dhën e me dhi,
E ka lidhur në dorë baresha ime!
E kam gjysëm perëndi,
Në flakërimin e muzgut
më jep për të pirë nga gjiri i saj!
Jam pak mburacak por për hatër të maleve e zotave që më rrethojnë,
Ma bëni të mirë!
2.
Kam pritur e kam përcjellë në gostira zotash,
Gjithë perënditë e botës,
Që iknin e vinin me vullnet të zotit tim!
Zotit të lartësuar të zotave!
Mos më thoni që s’u thashë!
Kot ju kanë gënjyer se ata nuk ekzistojnë,
Me sytë e mi i kam parë,
Me duar i kam prekur…
Ende zjarr më kullojnë përqafimet e tyre!
3.
Kam lindur pagan
në një natë me hënë të plotë,
Por pa fat!
Më pas më pagëzuan katolik
Në një kishë të madhe që ndërtuan me gurët që prishën tempullin!
Po aty më vaftisën Ortodoks sa mora këmbët!
Kryqin vetëm i ndëruan kishës!
Kur u rrita
kisha u kthye në xhami e në gjunjë më rrëzuan në oborrin e saj!…
Ndaj kur erdhi koha e ateizmit unë isha i pari që hodha gurin!
Gurin që kishin marrë në tempullin tim, dhe nuk bëra asnjë mëkat!
Sot jam pagan!
Sepse gurin e ndoqa pas!
4.
Kur më mbollën
në Dodonë,
Vajzat më vinin përreth,
Nën këmbët e mia i kisha
Të bukurat e zotit që ne i quajmë plaka…
Tash…janë kthyer në gurë,
U vënë peng kalimtarëve
që bëjnë sikur i kanë harruar!
5.
Në Epir sot,
Burrat kanë ikur!
Kanë shkuar të kërkojnë diej që të ngrohin më shumë,
Se zjarri i vatrës tënde!
Gratë kanë ikur
pas tyre,
Kanë hedhur gurët pas!
Lisat qajnë me piskama të vdekur e të gjallë!
Ujqit i ka marrë malli,
Për një valle,
Për një këngë!
Netët struken poshtë sharkut pa mëngë!
Në Epir,
Andej e këtej kufirit të fshatrave bosh,
Të gjithë presin beharin.
Arinjtë marrin përdore,
pleqtë e braktisur pa bastun!
Andej e ketej lumit
lahet hëna lakuriq!
Do të vijë Behari o miq?!…
6.
Mos ma ndalni hapin,
vrapin,
Nga ku lind e perëndon
Toka e të parëve të mi rënkon
Nën këmbë kusarësh!
Gratë që kam njohur sot janë stuja!
Statujat e grave të bukura,
Në vitrina muzeumesh të huaj,
Kalben robina.
Foluni shqip!
Do të ngjallen!
Ata që mbajnë peng të vdekur,
Aleksandrin e Madh, Pirron…Herakliun,
Dikur nuk gjenin vrimë të fshiheshin prej sokëllimave të tyre,
Shqip!
Kur portat e Ilirisë
Të hapen me krokëllimë,
Statujat do të flasin!
Heronjtë tanë,
Do të ringjallen
E dheu do të ndrisi teje ndanë,
Do të kthehet në ar!
Se ari
është shqiptar!
7.
Kur të fluturojnë shkabat mbi Epir,
Klithmat e tyre si piskama perëndish,
Shqip do dëgjohen,
Anë e mbanë botëve të vjetra e të reja!
Të gjitha detet do të zvogëlohen
sa as lëvozhga e vezës nuk mund t’ë lundrojë!
Bëhuni sy e veshë!
Në breg të Aosit
dy fëmijët e mi
me baltë
po e rindërtojnë Ilirinë.
Besa-besë!
Kur të fluturojnë shkabat mbi Epir,
Ti që asnjëherë nuk e ke parë qiellin,
Do duash të mbetesh pa sy…
Por perënditë tona do të falin!
Shkabat q’do rilindin nga dheu!
8.
Fry moj erë,erë e malit… erë moj,
S’mi mbathi patkonjtë e kalit..iku,shkoj,
Ku t’a gjej unë më Nallbanin,
E mbuloj,
Dheu që hëngri të gjallin, dheu moj!…
Eja lumë o lumë i marrë…lumi ti,
Mblidhi trungjet që janë kalbur…nëpër shi,
Mblidhi frikërat që këndojnë…vaj me det,
Në është thënë të shpëtojmë…me qamet!
Eja bir me sokëllima në Epir,
Bir eja si vetëtima,…bir o bir,
Më është bërë gjoksi vrima…në zinxhir,
Se më thonë s’ka më trima…bir o bir!
Eja mblidhi shqipëtarët…si shqiponja,
Se po thonë Shqiptaria s’është e zonja!
Ca kopukë e matrapazë…që sterojnë,
Janë lidhur me të ligun… na sundojnë!
Fry si erë e bëhu lumë…eja bir,
Besën dhamë tek varri i Pirros…për Epir!
9.
Ne i këndojmë vajet
Vajet më shumë i këndojmë…
se në dasma dehemi!
Verë mjalti nuk ka më…po raki me bollëk!
Kur vdes Epirioti
E përcjellin me valle,
Sepse vallja është vdekja e tij!
Është rruga e tij për në Had!
Vajzat thurin kurora me bli,
Dhe e vendosin mbi kokë kujtimin e trimit!
Kujtimin që digjet ende në gurët e maleve,
Si marraz përjetësish!
Kur martohet vasha
në Epir,
Asnjë fukarai si çahet daullja!
Të gjithë dehen
nga kurorat e luleve të kuqe,
Që vashat mbajnë në duar që nga koha e mbretit!
Kur ngrihen shqiponjat në valle,
Edhe malet dridhen nga piskamat e tyre,
Si vringëllima shpatash!
Në sheshin e madh
zjarri bëhet me krahë.
Armiku me hije!
Jam lis,
lis në Epir,
Prej farës së Zotit,
Kam mbirë!