Jehonë-Seti Pezaku Vladi


Nëpër tymnaja kohërash dremit

shpateve e luginave mjegullore,

flokëthinjura e shekujve

derdhur nëpër yje nate e rreze drite,

Egnatia ballkanike me degë ulliri.

Dimrat e vishnin me guna të bardrdha,

verat me cicërima pyjesh.

Kokën në portat e Dyrrahut,

me dy krahë gjigandë:

Njërin në Kostandinopojë,

tjetri në Romën që e ndërtoi.

Ylli Mëngjesit kur niste të regëtinte,

pëlhura e mjegullnajës sytë ia lante,

karvanet nisnin

trokëllimën e këngës monotone.

Ecte krah’ malesh

nëpër rrënjë lisash,

nën fëshfërima gjethesh.

Flladi i Ohrit e freskonte,

Selaniku i hidhte pelerinën e Egjeut,

në valën e gjelbër të Marmarásë pushonte.

Pluhuri i shekujve

fytyrën nuk ia mbuloi.

Në brigje lumenjsh e shtigjet e saj

flenë gjurmët:

Harqe urash e kalldrëme

me shkronja greko-romake.

Nga porta e luanit të detit, Epidamn

vjen jehona e saj

me shtegtimet, trokëllimat, karvanet…

Shkarkonin e pushonin retë e djersitura.

Të nesërmen,

Egnatia bëhej valë deti,

karvanet bëheshin anije,

vazhdonte shtegtimin

nga dielli ku perëndonte,

Via Egnatia,

Rruga me harqe të bashkuara

Lindje-Perëndim.