
Karrigia Nr. 20
Ti s’erdhe atë natë në teatër
dhe karrigia jote mbeti bosh.
Pranë m’u ul veç hija jote,
që vashdimisht flirton, më josh!
Mes ovacionesh ra perdja e kuqe,
unë lotoja, lotonte dhe aktorja.
Mos vallë protagonistja isha unë
dhe ajo ish spektatorja!?
Tani sa herë shkoj në teatër,
shoh karrigen tënde numër njëzet,
atje padyshim ulen të tjerë
dikush me kokë më përshëndet!
Veç në sallën e shpirtit tim,
karrigia jote pa diskutim rri bosh,
s’duhet biletë, as ftesë personale,
mjafton që ti të më kërkosh!
Ç’emër ti vë kësaj mungese,
është dhimbje ëmbël si`për çudi,
mbushet – derdhet dhe përsëri
mbushet boshllëku me dashuri!
Det aristokrat
Klithën pulëbardhat përmbi det
që larg feksën velat e shpejta
shtrat i perëndishëm deti
nanurit valëve të kadifenjta.
U derdha dhe unë ujërave të kaltra
ku përqafohet Joni me Adriatikun
po befas, ai hodhi dallgët në luftë,
më futi aq frikshëm panikun.
S’e merrja vesh pse u zemërua
ndaj drejt bregut nxitoja me një frymë,
rruazat më përdridheshin në grykë
dhe dallgët më dhanë një të shtymë.
Në breg rruazat me dorë i preka!
E kuptova o det aristokrat,
u kreshpërove se s’ishin perla
dhe dallgët nise gjithë inat!
Akuarel pranveror
Perëndoi koha jote për sivjet,
dimër, s’di pse s’po largohesh?!
Mjaft tund e shkund dëborë,
ik të lutem, ik të çlodhesh!
S’e sheh që zbriti pranvera,
çastet e fundit po ti numëron?!
Nga kurorë e bukur e bajames
dëborë e shkrirë po pikon!
Hipur kalit të bardhë të borës,
erë e prillit vjen e brishtë,
në duar mban një luledele,
i shkëlqen unazë në gisht!
Hapi portat erë e prillit
kurora pemësh buisën!
Me bisqe të brishtë ulliri
zogjtë e paqes larg u nisën!
