O këngë e pa kënduar
O këngë e fisit tim
Të ruaj porsi jetën
Tek ti kam gjetur shpresë
Burim i pa shterruar
Udhëtarit të sfilitur
Ti etjen i ke shuar
Udhëtimi i vështirë
Mundim i Prometeut
Ti shpresat çel në shpirt
Siç mbijnë lulet prej dheut
O këngë e pa kënduar
Më dhe gjithnjë freski
Në zemrën e shkrumbuar
Në luftërat për liri
Në botën përçudnuar
Të jetojmë shorti na ra
Gjithnjë të rrezikuar
Prej stuhive të mëdha
Por kombi im s’u shua
Do jetojë në përjetësi
Do vijë njé ditë për mua
Të ketë mbi dhe drejtësi
Kjo ditë do vijë patjetër
Dhe kënga do buçasë
Do shëmbet botë e vjetër
Drejtësia do trokasë
Kjo këngë kur të këndohet
Pranverë e kombit tim
Çdo zemër do ndriçohet
Prej dritës plot shkëqim
Prej dritës , dritë hyjnore
Prej dritës së vërtetë
Pranverë në shpirt të kombit
Që lulëzon për jetë
Prej dheut do të ngrihem
Me ju do të këndoj
Në dritën e vërtetë
Pak çaste t’i jetoj
Pastaj do shkoj tek varri
I qetë , i lumturuar
Se kënga peng pat mbetur
Një jetë…. e pa kënduar
Të gjitha të drejtat e autorit
janë të rezervuara
Rrahim Billa 27 mars , 2020