Klithje globale-Qerim Skenderaj


Qerim Skenderaj

Sa më pëlqen këtë vit,
Moti i ftohtë, dimri.
Kam menduar natë e ditë,
Të më mprehë thëllimi.

Më pëlqejnë retë e zeza
Dhe mjegulla gri,
Të vesh kokore, doreza,
Të udhëtoj në shi.

Më pëlqen ngrica dhe bryma,
Më mahnit dëbora.
Avulli, kur vishet fryma,
Në të bardha flora.

Kur në strehën e shtëpisë
Akulli lotonë,
Si fëmija që do sisë
Qanë e nuk pushonë.

Dhe era rrebeluar,
Dehur e shastisur,
Si një ujkonjë e tërbuar
Këngës ia ka nisur.

Furtuna me vërshëllimë
Që të lë pa frymë,
Pret qiellin me vetëtimë
Dhe godet si rrymë.

E dua pyllin të zhveshur,
Kërpudhat pas shiu.
Kënaqem kur bie breshër
Kur të fshinë veriu.

Dhe stuhinë e acaruar
Që klithmonë si bishë,
Bredhat e lisat harkuar
Si murgjër në kishë.

Kur mësynë dallgë e detit,
E veshur me shkumë,
Pa iu bindur “ligjit”, “mbretit”
E fryhet çdo lumë.

Pëlqej dhe kafshët në pyje
Strehuar në shpella,
Pa e parë qiellin me yje,
Në guva të thella.

Dimrin e dua të ftohtë,
Me shi, breshër, erë,
Ta ndjejë diellin më të ngrohtë
Më pas, në pranverë.

Të shkrij akulli, dëbora,
Lehtë…, si qiri,
Në të blertë të vishet flora
Me kostum të ri.

Të gurgullojë burimi
Flladi të lëmojë,
Të sundojë gjelbërimi,
Pylli të këndojë.

Të shpërthej aroma, lulet,
Në fushë, kodër, mal.
Gjithë natyra t’i përkulet
Dimrit…, që u ndalë.

Jeta nga gjumi të zgjohet,
Të shëroj çdo plagë,
Toka – arë të përpunohet,
Të shfryj avull, vlagë.

Të zgjidhet fara e re,
Të kryhen të mbjellat,
Jeta plotë gaz e hare,
Të gëzoj të dielat.

Ta pres verën duke qeshur,
Dhe rrezet në pik,
Në anëdet veshur e zhveshur,
Malit në piknik…

Kur të vij vjeshta e sertë,
Si zonjë e stërvitur,
Fruti është i pjekur krejt
Dhe toka vaditur.

Drithrat janë makazinuar
Për bukë e për farë,
Bollëku është siguruar
Është zgjedhur e ndarë.

Ja kështu më pëlqen moti
I ndarë në çdo stinë.
Si breshër më bie loti
Kur akull nuk ngrinë.

Kur dielli të djeg në shkurt
Bora bie në maj,
Mblidhem si plakush i urtë,
Ul kokën e qaj.

Kur i shoh polet të shkrijnë,
Akullin – notar,
Lotë në sy më vetëtijnë,
Si prushi në zjarrë.

E kur drita bie mbi akull
Pa njolla e ngjyrë,
Më duket vetja orakull
Fshehur në pasqyrë.

Dhe ajo që më mbush sytë
Është e kuqe flakë,
Globin e mbështjellë, e mbytë,
E njollos me gjakë.

Ndërsa qielli sterrë i zi,
Dergjet i sëmurë,
Djegur nga një diell gri
Me temperaturë.

Kur e shikoj copa-copa
Pulbardhash mbi ujë
Jetës po i hapet gropa,
“Pa zhurmë e bujë!”

Gjallesat shuhen në masë,
Në tokë e në det,
Ajri i ndotur me gaz,
Po shfaros, po vretë!

I gjith globi skuqur prush
Digjet pa pushim,
Politika xhepat mbush
Me naftë e benzinë*.

Dëgjoj natyrën që klithë,
“Ndiiihmë” ulërinë,
Dridhet në ethe e gjithë,
Me zjarrin në shpinë.

Bëj sa mundem, flas e shkruaj
Për çdo gjë që s’shkonë,
Dhuroj dashuri e vuaj,
Por kjo nuk mjaftonë.

Jam i dobët, s’kam fuqi
Dhe i vogël shumë,
Sot sundon tjetër njeri
Dhe paraja lumë…