Klithma e Mesdheut-Namik Selmani


Klithma e Mesdheut

Baladë për emigrantët e kohërave moderne

Namik Selmani

1.

Vëruani veshin dallgëve të Mesdheut

plakur e të thinjur!

Jo si polumbarët

Në kërkim të një amfore a të bauleve me florinj!

Dëgjooojani klithmën

Që mbetet për gjysëm në atë hon të blertë, të panginjur

Dëgjoni një fëmijë

Që dhe në bark të nënës qan e qan me ngashërimë.

2.

Vëruani veshët

Asaj vale që shkon në shpirtin e botës që zjarrmon!

Shihni sallat

Me llampadarë, mikrofonë, ngrohësa e kollare të kuqe!

Nëse

Nuk bëheni Mjeshtra arkivolësh për trupat e gjorë

Këputni

Nga sytë e nga zemrat e vrara, qoftë dhe një lule!

Gjakosini duart

Duke prerë qoftë dhe me dhëmbë telat e Murit qiklopik

Thërrisni vajatore

E prapë do ju mbesë një pikëlot i patharë

Bëhuni faqeskuqur

Jo si bujku që prek ugarin për ngrohtësi

Po si mëkatarë

në një GJYQ pa togëzinj, avokatë e gardianë!

Ujdisni me valë Mesdheu

Një djep të boshtë, pa ninulla, pa jastëk nën kokë!

Bëni një kukull të bukur

Me një emër të çuditshëm viktime në amëshim.

Mbillni një qipariz

Në fund të detit që si kazan po valon!

Hidhni në pentagram

Oinë e pambaruar, më e përkryer se të gjitha simfonitë!

E bëni brenda vetes

Vetë një Mesdhe të dytë, me dallgën më të lartë!

Mos i mbyllni veshët

Si të Odiseut, nga dhimbja e brigjeve të gurëzuar!

A thua

Se BOTA është bërë lehonë e i mungokan sytë në ballë??

A thua

Se dasmat e pabëra po na thinjin të tërë pa i jetuar???!!

A thuaaa?

Oh, i vini veshin Mesdheut!

Shurdhër u bëfshi një ditë që të gjithëëë!!