Kotësi-Vaso Papaj


Gropë i bëtë kolltukët e Port Saidit*,

Orë të tëra, gropë, lëkurë e zezë.

Nuk pushon së rëni zilja e celularit

Kot, fare kot, “bay-ciao” ju është bërë ves.

Thonj të zi, sikur më mbysin në Flag Ship*,

Tek lëpihen mbi syprina xhami gri.

Akrepat e fosfortë te muri cip mbi cip

S’di, në më kot po rrinë, a bëjnë dashuri.

Tym duhani vesh tavanin e Çollakut*,

Missin ledhaton te lajmet Ora News.

Stresi mal sesi më gërryen prej merakut,

Më mbyt kjo kotësi, më mbyt, mezi e ngrys.

*Kafe-Bare në Durrës