Kur agimi vonohet-Zymer H.Haliti


(Në kujtim të një dite,6 Prill 1999,kur forcat paramilitare serbe, djegën,vranë,plaqkitën fshatin tim.)

Atë ditë dhe dielli nuk shihej nga retë
Korbat po endeshin në fshatra,qytete
Një sulm i papritur fshatin tonë godet
Paramilitarët serb që krijonin tmerre…

Ata sulmuan papritur,si një akt pusie
Mëngjesin na e nxinë me ato krisma
Po djegin thanë kulçedrat prej Serbie…
E plaku ofshante tek i digjej shtëpia…

Nëna lodhur qëndronte përballë meje
Bir,ç’të bëjmë?Kah duhet të shkojmë
Mbeta habitur,digjesha si qiri n’heshtje
S’pata përgjigje,lotët rrëke më pikojnë

Rrugët ishin mbyllur,shteg nuk kishte
Nga të gjitha anët na gjuanin pa ndalë
Shpresa shpëtimit vetëm te Zoti ishte
Se atë fortunë..si do ta kalojmë vallë?

Thonë se tmerri atë dite na trishtoi
Krismat,vrasjet,djegiet e plaqkitjet
Familje të rraskapitura armiku i dëboi
Agimi i asaj nate u vonua diku në pritje…

Stuhia pastaj pushoi,por helmi na mbet
Ngase të pafajshëm kishin vra tre vetë
Tek mbronin krenarë pragun e shtëpisë
Edhe në fshatin tim rrodhi gjaku i lirisë.