Lërmë të shkoj–Irma Kurti


Irma Kurti

Lërmë të shkoj para se të jetë vonë drejt një toke
ku ka vetëm drit’ e diell, në plazhin e virgjër pa
një gjurmë, ku guaskat marrin formën e zemrës,
një dallgë më puth me pasion.

Lërmë, të lutem, të shkoj përpara se kjo ndjenjë
të më mbysë si në një oqean të madh të trazuar,
para se unë të mbetem pezull në krahët e erës si
një petël në stinën e pranverës.

Të arratisem në një ditë çfarëdo, me një valixhe
fjalësh të pathëna, me mijëra gjeste që nuk kemi
shkëmbyer, me sytë plot gëzim dhe lot. Lërmë të
shkoj përpara se të jetë vonë!

IRMA KURTI
Marrë nga libri “Diellin shoh pas qelqesh”, Youcanprint, Itali, 2023.