Letërsia shqipe mbart shpirtin dhe ndjenjat e popullit shqiptar-Hysen Kica


Letërsia shqipe mbart shpirtin dhe ndjenjat e popullit shqiptar, mbart luftën dhe përpjekjet e tij për mbijetese në kushtet e krizave të mëdha historike, mbart punën heroike për ruajtjen e gjuhës dhe traditave më të bukura. Edhe sot ajo transmeton gjendjen shpirtërore aktuale të njerëzve tanë, problemet e mëdha me të cilat ndeshet psikologjia dhe ndërgjegjia e tij gjat të ashtuquajturit proces tranzicioni. Gjithmonë ajo shërben si ushqimi shpirtëror më i suksesëshëm për të ngjallur te njerëzit optimizmin dhe dëshirën për të jetuar e për të gëzuar. Bima e brishtë e letërsisë shqiptare u lind dhe u rrit në një tokë të ashpër. Ajo herë mbinte e lulëzonte, dhe herë shkulej nga dheu prej rrjedhës brutale të historisë politike. Fillesat e shëndosha të letërsisë moderne në vitet 1930 u shfarosën pa mëshirë nga udhëheqësit stalinistë, që morën pushtetin në vitin 1944 dhe e mbajtën deri në vitin 1990. Dhe së fundi, me të rënë diktatura, letërsia shqiptare e realizmit socialist, krijesë e regjimit komunist, u bë e vjetruar dhe e padëshirueshme. Megjithatë, kjo bimë e brishtë e kësaj toke të ashpër legjendare ka prodhuar edhe lule të mahnitshme, disa prej të cilave e meritojnë vëmendjen e krijuesve dhe artdashësve të sotëm.

Në të vërtet, letërsia shqipe edhe pse ka krijuar tanimë një traditë, ka në gjirin e saj emra të denjë e artistësh, por vazhdon të vuaje mungesën e një komunikimi të lirshëm, vazhdon të jetë e sfiduar nga grupe e qarqe sharlatane, që i shërbejnë pak kulturës letrare, vazhdon të jetë pre e disa emrave që mund të jenë gjithçka tjetër veçse jo shkrimtar, vazhdon të bëje jetë prej klanesh e grupesh të mbërthyera nëpër geto partiake. Psikologjia klasore nuk i lejon shkrimtarët të çlirohen nga falsiteti demagogjik të cilët sot realisht janë gangrena më e rrezikshme e letërsisë shqipe. Ata, duke iu shërbyer partive i shërbejnë vetëm antikulturës, unit, shthurjes, degjenerimit dhe jo vlerave, i shërbejnë fragmentimit të letërsisë shqipe, izolimit të saj. Letërsia dhe politika është sikur letërsia dhe jo vlerat. Konkretisht janë klanet ato që po e rrënojnë dhe e izolojnë vazhdimisht letërsinë shqipe.

Është pikërisht kjo gjendje e mjerë, që e pengon integrimin e plotë të letërsisë shqipe, si një sistem i vlerave universale, po e pengon komunikimin e natyrshëm e të nevojshëm dhe po e mban letërsinë të mbërthyer tek ca emra shërbëtor ideologjish e autorë pa shije të kulturës artistike. Plotë autorë të “mëdhenj” struken pas klaneve dhe grupeve të caktuara politike, vendosin lule dhe vajtojnë pranë varreve të udhëheqësve të tyre shpirtërorduke harruar se arti i mirëfilltë dhe vlerat universale nuk kanë nevoje për mbështetje apo për mburoja. Në kushte të tilla, autorë të shumtë shqiptar, që vërtet përfaqësojnë vlera të vërteta, e kanë të vështirë t’i ofrohen lexuesit shqiptar, i mbyt demagogjia dhe urrejtja klasore, i gropos politika antiartistike dhe u mungon plotësisht mbështetja ekonomike e sociale. Kjo gjendje padrejtësie i vë përballë sfidave të shumëfishta dhe shpeshherë të pakapërcyeshme.

Arti letrar duhet të udhëhiqet nga parimet e mëdha humane për të qenë ushqyes i botës shpirtërore të kombit tonë me ndjenjat më humane. Ai duhet të jetë gjithmonë në harmoni me gjendjen psikologjike dhe ekonomike dhe të punoje për ti bindur njerëzit se rruga e suksesit në jetë arrihet duke zhdukur armiqsitë midis tyre.

Shkrimtari duhet të ketë një zemër të madhe të mbushur me dashurinë e pakufishme për njerëzit dhe nuk duhet të harroje kurrë se duhet të thoje e të mbroje vetëm të vërtetën. Ka plot njerëz që e kuptojnë të vërtetën si një koncept relativ dhe abuzojnë me këte parim por duhet të mësojnë se ka një të vërtetë absolute që buron nga njohja e plotë e psikologjisë së popullit tonë. Shkrimtari nuk duhet të harroje kurrë se arti letrar është i bukur kur ka në themel ide të bukura. Nuk është vepër e bukur ajo vepër që sfidon psikologjinë e shqiptarit duke i servirur atij shthurjen morale, degjenerimin shpirtëror dhe një fjalor të mbushur me banalitete. Vepra letrare e ka emrin “ Art “ dhe si e tillë duhet të jetë e bukur, e pastër dhe plot ndjenja shqiptare. Shkrimtari mëshiron në veprën e tij një pjesë reale të jetës njerëzorë duke e harmonizuar me ate të përfytyruar por prezenca e tij shërben gjithmonë si udhërrëfyes. Kështu vepra letrare është produkt i një njohjë të thellë shkencore të psikologjisë njerëzore, i emocioneve të thella, i gdhendjes së fjalës artistike dhe i transmetimit të një mesazhi shumë fisnik.

Brezi i ri nuk duhet parë si një bashkësi që po ecën në një rrugë pa perspective dhe të trajtohet si një objekt ne dekadencë shpirtërore por si një forcë e madhe progressive që ka nevojë të gjeje një rrugë plot dritë dhe të rende përpara. Vepra letrare nuk ka të drejtë ta ofendoje popullin, se qenka me mbeturina, por ta trajtoje me dashuri duhet respektuar traditat dhe kulturën e tij shekullore si perla të vërteta shqiptare. Vetëm ata shkrimtarë që nisin të shkruajnë me qëllimin për ta fisnikruar ndërgjegjien e popullit tonë, vetëm ata që interpretojnë artistikisht shpirtin e këtij populli kan sukses.

Mund të jetë një imazh i 1 person dhe teksti