Libri i autorit të ri Juli Sono-Angela Kosta-Recension


ANGELA KOSTA – RECENSION

Libri i autorit të ri Juli Sono Shqetësimi i Një Qenieje Që Mundohet Të Meritojë Emrin “Njeri” përmban në vervete thelbin rrënjësor dhe universal të Shpirtit i cili paraqitet në të gjitha mënyrat dhe format e tij para lexuesve. Në këtë libër do të gjeni një gamë të gjërë reflektimesh jo vetëm mbi Shpirtin por edhe përshtrijen dhe përfshirjen e substancën jetike në përgjithësi dhe në veçanti. Me guxim, autori Sono e vë Shpirtin përballë pasqyrës së jetës duke formuluar dhe nënvizur gjërat e rëndësishme, praktike dhe të detyrueshme ndaj njerëzimit, globit dhe gjithçka që na rrethon. Nëpërmjet meditimeve dhe evokimeve, mjaft kërkues ndaj vetvetes dhe të tjerëve për respektin dhe dashurinë ndaj natyrës, ndaj bimëve dhe të gjitha gjallesave, qofshin ato kafshë pyjesh, njerëz apo insekte ujore, autori përcjell mesazh mjaft dinjitoz dhe të vyer. Në këtë libër autori vargëzon (poezi), rrëfen (prozë, novelë), reflekton (ese) duke kompozuar, recituar dhe piktuar Shpirtin e tij fisnik. Juli Sono e vë pikërisht në pëllëmbë të dorës Shpirtin, e vëzhgon, e përkedhel, pretendon ndryshim rrënjësor ndaj të mirës brenda ndërgjegjes së tij, duke analizuar vazhdimisht identitetin, fatin, dashurinë, aspektet e jetës, pasojat, vendimet, projektet dhe arritjet. Autori nuk paragjykon apo nuk bën krahasime aspak me të gjitha këto. Në mënyrë tepër modeste, pa ngurrim ai thjesht dhe qartë na lë të kuptojmë se jeta është e bukur kur ke një familje të bukur dhe pikërisht kjo është pasuria më e madhe è sidomos aty ku Shpirti gjendet mirë. Sendet materiale, të ardhurat nuk janë kyçi i lumturisë. Të gjitha këto poeti i ndërthur dhe i harmonizon jo vetëm në vargje, por edhe në prozë e reflektime. Me shumë vërzhdiellësi ai na i sjell këto teksa gjen 100 dollarët, tek proza tragjike “Xhimi dhe Xhena”, (dy botë të kundërta nga ana materiale, por në një bashkim të përjetshëm), triumfin e dashurisë në novelën “Dashuri Përtej Urrejtjes”, në të cilën autori rrëfen jo vetëm historinë e Ilirit dhe Elenës, por edhe vështirësitë e refugjatëve në Greqi, vënien e jetës në rrezik për të arritur në tokën ku shpresohet të ketë një të ardhme të mirë, krenarinë që jemi shqiptarë autokton ballkanik dhe se askush nuk mund të na e gjymtojë të ardhmen (konflikti midis Deputetit Mihal dhe Ilirit) apo gjatë pushimeve jashtë shtetit. Mjaft i goditur dialogu midis Njeriut dhe Zotit, Gjarprit – Zotit dhe Kalit, ashtu sikurse monologu me ndërgjegjen, me skutat e thella të shpirtit, me ekstremitetin e mendimit dhe vëzhgimit të kujdesshëm 360°. Në këtë libër, është për t’u admiruar dashuria dhe respekti i thellë ndaj Nënës të cilën e gjejmë në mishërimin e figurës madhështore të Nënë Terezës, personifikim i të gjitha nënave, grave dhe motrave në botë. Gati në çdo varg apo frazë, autori mundohet dhe ia del të hartojë imazhin e jetës: varfërinë, bollëkun, egoizmin, hipokrizinë duke u fokusuar tek Uni, pasi përpiqet me këmbëngulje të mos preket nga negatitiviteti por të rrijë pa cinizëm, koherent, shpirtbardhë dhe i pastër. Në këtë libër autori flet në heshtje (sepse edhe heshtja flet), pa bujë ai bën gjithësesi bujë të mbetemi të tillë edhe të gjithë ne të tjerët. Shumë domethënëse malli për vendlindjen e tij në Leskovik, kujtimet e vargëzuara në kalldrëmet tipike të atyre anëve, shumë çaste të përshkimit jetësor të prindërve dhe në fund gjetja në vetvete e pëgjigjes: ai i respektit ndaj dashurisë së madhe që prindërit kanë për vendin e prejardhjes, rrënjëve nga janë lulëzuar dhe kanë çelur breza të tjera me rradhë. E gjitha kjo rrotullohet anasjelltas edhe prej dashurisë së autorit pra jo vetëm ndaj rrënjëve të prindërve të tij, por edhe ndaj vëllait të madh të cilit me mjaft delikatesë i shpreh mirënjohje, respekt dhe dashuri (“ishim katër, mbetëm dy”, shprehet me dëshpërim autori), duke vënë në pah se i ka mbetur gjëja më e vyer që ekziston. Vetë titulli: Shqetësimi i Një Qenieje Që Mundohet Të Meritojë Emrin “Njeri”, sjell në pah, zbërthen dhe përmbledh karakterin e autorit Juli Sono, nga i cili mirëpresim libra të tjerë interesant si ky që sapo analizuam.

Angela Kosta Akademike, gazetare shkrimtare, poete, eseiste, redaktore, kritike letrare, botuese, promovuese