Lisat e Mirko Gashit-Nga Timo Mërkuri


LISAT E MIRKO GASHIT

Nga Timo Mërkuri

Librin tim “Letërsia si shpëtim nga rrufetë zeusiane” (Beqir Musliu, Prishtinë 202) e kam filluar me shkrimin “Mirko Gashi ose mali me lisa”, ku kam analizuar poezitë e tij të ciklit poetik “Nata e qirinjve”, përfshirë në librin “Reinkarnimi im” (Media plus art, Prishtinë 2010). Më tërhoqi vëmendjen poezia e tij “Rondo”, e publikuar nga “Hejza” për faktin që dhe në këtë poezi Mirko Gashi përdor me finesë metaforën e “lisit” dhe “plisit”, madje duhet të theksojmë se në këtë poezi kjo figurë tingëllon më bukur se në ciklin “Nata e qirinjve”, pse prej tyre poeti na jep një imazh nëpërmjet të cilit lexuesi vazhdon të “ecë”në meditim edhe tutje poezisë.

Poezia “Rondo” nis me një shprehje të thellë adhurimi “E dashura ime” dhe momentin e parë të gëzimit që ajo sjell në jetën e poetit: “kur ma afrove gëzimin e parë, e mbolla një lis”, ku metafora e lisit nënkupton një djalë që do të rritet.

Thjeshtë dhe natyrshëm poeti përshkruan dhe dy raste të tjera gëzimi që i sjell “E dashura”, ku çdo gëzim shoqërohet me një “lis”, të cilin vetëm te vargu i dhjetë dhe i njëmbëdhjetë: “lis pas lisi, plis pas plisi”, kuptojmë dhe ndjejmë se këta lisa janë djem, me plisa.

Plisi është tipari karakteristik dhe dallues i shqiptarit të Kosovës, ndaj vargjet “lis pas lisi, plis pas plisi, bëhet pylli” na kujtojnë se familjet kosovare lindnin shumë fëmijë për shumë arsye, por kryesorja ishte sigurimi i luftëtarëve për ekzistencën e familjes (jo vetëm). Imagjinoni një “pyll lisash” djem luftëtarë me “plisa” dhe armë në krahë që lëvizin nëpër shtegun e malit dhe do të ndjeni se imagjinata e Shekspirit ishte larg të qenit mahnitëse.

Poeti shpreh në këto vargje jo vetëm dashurinë për familjen, por edhe besimin se pikërisht familja plot me “lisa me plisa”do ti sjellë lirinë dhe lumturinë Kosovës, duke e shndruar detin e robërisë dhe të vështirësive të egzistencës së etnitetit shqiptar në Kosovë, në një det të vogël, në një cekëtinë, pellg ku kuasin bretkosat. Uji i pakët që sdo mjaftojë as për të larë ndëresat e fëmijëve do jetë fuqia dhe pushteti i pakët i serbëve në Kosovë, kur ajo të fitojë lirinë.

Eleganca me të cilën poeti një gëzim familjar e shndron në farën e një shprese shpëtimi kombëtar, dësshmon kuotën e lartë të talentit poetik të Mirko Gashit. Ai në procesin e krijimitarisë poetike ngjitet në majën më të lartë të talentit të tij prej nga na shesh dhe na flet, i gatshëm për të bërë vetfilijimin e artit të tij në rastet e moskuptimit. Poezia e Mirko Gashit është si një prush lisi i mbuluar me hi, që e mbart zjarrin nëpër kohë. Nga kjo kuptojmë se përgatitjet për liri të Kosovës i kanë pri kolosët e saj. Kjo është arsyeja që gjithë poezitë e Mirko Gashit janë jo vetëm të kuptueshme, por tepër të kërkueshme edhe në ato vite robërie.

Poeti shprehet optimist për të ardhmen me një pyll lisash dhe plisash: “do të vijë koha, edhe deti do të jetë i vogël, për t’i larë mnelat e fëmijëve tanë”, dhe ne kuptojmë se nuk është fjala për hapësirën e larjes së “mnelave”, por për hapësirën e lirisë, që do të vijë pikërisht nga “lisat” e Kosovës dhe “deti i vështirësive”do jetë i vogël.

Siç u shprehëm më lart, poezia “Rondo” reflekton mbi natyrën e dashurisë dhe sfidat që mund të hasë në rrugën e saj. Megjithëse ka pasoja dhe ndjenja të stërlumtësisë, autorit i intereson mesazhi i shpresës dhe durimit në dashuri dhe liri. Nëpërmjet imazheve të lisave, plisave, pyllit dhe detit, Mirko Gashi transmeton idenë se në fund, dashuria fiton, ku ajo frymon vetëm në liri dhe “pengesat” janë të përkohshme.

Poezia ka një strukturë të thjeshtë dhe tërheqëse, ajo përfundon me një imazh të fortë dhe tërheqës, me një “det të vogël”vështirësish që të krijon një ndjenjë shprese për një të ardhme të sigurtë.

Poeti përdor mjeshtërisht metaforën e lisave, sipas traditës gojore shqiptare, ku çdo djalë shihet si një lis lirie, ndaj ai shprehet me gëzim të dukshëm: “*e mbolla një lis”, “e mbolla edhe një lis”, *duke krijuar imazhin e pyllit: “lis pas lisi, plis pas plisi, bëhet pylli“, i cili përdoret në kuptimin e një çeteje luftëtarësh që janë garanci e lirisë, ku“detin e vogël” e përdor si krahasim pakësimin e rrezikut dhe vështirësive që do të jenë të vogla dhe të lehta për tu kapërcyer : “do të vijë koha, edhe deti do të jetë i vogël, për t’i larë mnelat e fëmijëve tanë“.

Poezia, e Mirko Gashit duket sikur ka lindur si një poezi moderne me një stil të lirë, u rrit pa ndjekur një strukturë të rreptë dhe nuk është e varur nga skemat tradicionale të rimave dhe strofave. Stilin e lire autori e përdor që të lejojë fjalët dhe idetë të rrjedhin lirshëm në tekst, si ujët e burimit teposhtë shpatit.

Mirko Gashi edhe te kjo poezi përdor një gjuhë të rjedhshme dhe të kuptueshme, pranë të folurit popullore dhe si rrjedhojë, ndjehen vargjet dhe kuptimshmëria e tyre. Është vërtet një poezi e vogël që të mbetet në kujtesë me intensitetin ideor të vargjeve.

Në aspektin fotografik, vargjet e shkurtëra të poezisë, të renditura në poezi, japin imazhin e një lisit të lartë dhe të fortë, që bashkohet me lisat e pyllit poetik.

Sarandë, më maj 2023

Mirko Gashi

RONDO

E dashura ime

kur ma afrove gëzimin e parë

e mbolla një lis

kur ma afrove gezimin e dyte

e mbolla

edhe një lis

kur ma afrove gëzimin e tretë

i stërlumtur

e mbolla edhe një lis

lis pas lisi

plis pas plisi

bëhet pylli

do të vijë koha

edhe deti do të jetë i vockël

për t’i larë mnelat e fëmijëve tanë.