Lufta e ditës dhe e natës-Iliaz Bobaj


Iliaz Bobaj

……………………………………………………….

ILIAZ BOBAJ

LUFTA E DITËS DHE E NATËS(poezi)

”Këtu është lufta e ditës dhe e natës”, janë vargjet e fundit që shkroi Viktor Hugoi.

Edhe pse ti ishe një planet drite,

nuk e shove dot këtë luftë.

Ajo lulëzon edhe në ditët tona,

ku bredhin lirshëm njerëzit e lirë pa liri

dhe njerëzit e gjallë pa shpirt.

Në kohën tonë,

ditën ta vjedhin nga shpirti,

shpirtin ta mbushin me natë.

Mbështjellë me një pako të bukur hipokrizie,

natën ta falin bujarisht si dhuratë.

Terri ulet këmbëkryq në mes të ditës,

me një fener të zi si pendët e korbit në dorë,

pa iu dridhur aspak qerpiku prej dritës.

Në zemrën e njeriut ka rënë një hije vjeshte,

blerimi i shpirtit po zbehet dalngadalë,

shpirtin e njeriut po e mbulon rëra,

po e kthen në një shkretëtirë të thatë.

Njeriu po e humbet përditë njerinë.

Lufta e ditës dhe e natës,

po bëhet tmerri ynë…

…………………………………………………………….

SHTËPIA PAS IKJES

(poezi)

Punëtorët hynë lirshëm, siç hyjnë punëtorët,

me veglat dhe bojrat e lyerjes në duar.

Në shtëpi kish vetëm ca mbeturina të shpërndara,

si puplat e një zogu të shpupluar

dhe ca gozhdë bosh në mur,

të ngulura si pikëçuditëse.

Aty gjithçka e kishte emrin ikje.

Ajo kish ikur, e kish rrëmbyer një furtunë,

kurse ai nuk donte të jetonte mbi gjembat e kujtimeve.

Punëtorët i mblodhën shpejt e shpejt mbeturinat.

Njëri prej tyre gjeti një bllok të bukur.

Ia dha të zotit.

Ishte ditari i nisjes së dashurisë së tyre.

”Hidhe!”, ia bëri me shenjë i zoti dhe e lëshoi përtokë,

si një send pa vlerë, pa thënë asgjë.

Dhe doli i kërrusur si një strehëz e rrënuar,

ku dallëndyshja nuk kthehet më.

………………………………………………………………………….

Shenim per lexuesit: Poezia e pare: LUFTA E. DITES DHE E NATES,, nuk eshte e Hugoit, por imja.

Ajo eshte ndertuar mbi dy vargjet e fundit qe shkroi Hugoi para se te jipte shpirt.

Ju lutem,lexojeni me kujdes…!

Ju falenderoj per mirekuptimin!