Majlinda Pajaj:E dashur jetë


E dashur jetë.

E dashur jetë… dhe pse e zbehtë,

Të dua si shkretetira shiun,

Skeleti ëndrrës, ty do të ketë,

Si në dritë dielli, hija njeriun.

Tej horizontit shkojnë sytë e mi,

Për të të hyrë portës së ëndrrës,

Në siluetën ku fshihesh ti,

Është shpirti im, substancë e lëndës.

E dashur jetë, më shih në sy,

Të marrë unë ngjyrat si perëndim,

Në fund të tij, të pres veç ty,

Me rreze dielli der në agim.