Malli-Fatmir R Gjata


Ç’rëndësi ka të mbash ditar

kur ditët janë të njëllojta

Dielli ngrihet e bie, retë pregatisin shiun,

dhe loti bëhet gati të bjerë e të ndaloj në cep të buzës.

Më mbetet ta lëpij e të shkoj

Të ulem nën shelg buzë lumit

Nëse ka akoma një vënd të tepërt.

Çfarë duhet një poezi më shumë për mallin

kur çdokush e ndien pa lexuar vargjet

Mjafton titulli,

pastaj mund t’i vësh gërmat rrëmujë

alfabetin me rradhë

Ose më mirë; zanoret

Të klithin vetmuar.

Nuk është kohë për ditar

kur flasin lotët e qajnë fjalët

e pemët shkëmbejnë lulet e para

për të uruar stinën e re.

Ç’rëndësi ka malli!!??

askush nuk e sheh shkallmin e shpirtit

Të gjithë kanë nevojë të shohin

trupa të bukur, buzë mishtore,

buzëqeshje e trille

kështu që mund të bëjnë selfie

në buzë mbrëmje pendese.

E ndoshta do gjejnë ditarin e grisur

pranë kanaçeve të birrës

aty ku u deha për herë të fundit.