Mesazh për Kryeditën e Dashurisë…Hyqmet B Hasko


“Dashuria nuk kërkohet, ajo vjen atëherë kur nuk mendon për të, atëherë kur je i pastër shpirtërisht. Dashuria nuk të lëndon kurrë, nëse të lëndon nuk është dashuri o mik, ajo nuk është e ashpër, lënduese apo hidhëruese. Ajo është ndjenjë qetësie, të fal paqe, besim dhe shpresë. Të lejon të mbushësh thellë me frymë pa patur frikë se do të dalin lot. Sa pak të dashuruar që ka në botë…!”

Erich Fromm.

Miq e mikesha të mia!

Ju uroj të gjithëve ditën e Shën Valentinit, ditën që çel tek çdo njeri i kësaj bote një dritare dashurie, e cila është ndjenja më e thellë, më e lartë dhe më komplekse humane, që e ngre njeriun nga honet e instinktit në majëamalet e vetëdijes, të kauzës dhe misonit për vazhdimësinë e brezave dhe vetë jetës njerëzore.

Dita e Shën Valentinit është bekimi njerëzor e hyjnor së bashku, që vjen që nga kopështi biblik i botës, nga Edeni i Adamit dhe Evës, pavaësisht se si shenjë konvencionale do të shfaqej shumë vonë në kohë dhe nuk ka veçse pak shekuj jetëgjatësi.

Njeriu lind me dhuntinë e veçantë, unike dhe superiore, që e dallon nga të gjitha krijesat e tokës, por jo vetëm të tokës, por dhe të të gjithë botëve të njohura e të panjohura, dhuntinë e dashurisë.

Dashuria është leva e Arkimedit që lëviz kohën dhe hapësirën, realitetin dhe ëndrrën, të kaluarën, të sotmen dhe të ardhmen, është ura e madhe nga kalojnë të gjitha ndjenjat dhe ndjesitë e bukura, urtësia dhe mençuria, liria dhe progresi intelektual.

Kur themi dashuria, kjo fjalë është më e gjërë se dashuria mes një burri dhe një gruaje, mes një djali dhe një vajze; është më shumë se erotikë, më shumë se ndjesi fizike e shpirtërore, më shumë se reflektim në hapësirat e të bukurës. Është një ofertë lirie dhe përmbushjeje në një botë plot kaos e mungesa. Më tej, dashuria është një hapësirë eterike kërkimi dhe malli universal, që e plotëron njeriun, pavarësisht nga seksi, etnia, raca, shkalla në hierarkinë shoqërore, stausi social e familjar, niveli intlektual, kulturolgjik e pasuror etj.

Prandaj, mbi të gjitha, Shën Valetini është një kryeditë dashurore që na fton të bëhemi më të mirë, më të ndjeshëm ndaj nevojave të zemrës sonë, por dhe të zemrave e shpirtërave që na rrethojnë dhe që nevojën më të ngutshme kanë nevojën për dashuri.

A nuk bënte këtë çdo ditë të jetës së saj Nënë Tereza, ky symbol i madh dashurie, humanizmi dhe mirësie i botës panshqiptare?!

A nuk kanë bërë këtë çdo ditë të jetës së tyre të gjithë shenjtorët, njerëzit me dhunti të veçanta, korifejtë e qytetërimit dhe gjenitë e racës njerëzore?!

Shën Valentini, megjithëse i dedikohet dashurisë mes një femre e një mashkulli, e përshkon gjithë këtë hapësirë rrezatuese, me kumt universal dhe është një kryeditë e Dashurisë në kuptimin më të gjërë, më të thellë e më reflektues të kësaj fjale, që përcjell në çdo komb e racë ndjesitë më të bukura të shpirtit njerëzor.

Shën Valentini na fton të bëhemi më të bukur në shpirt, ta çlirojmë mendjen nga kufizimet dhe filtrat e egozimit, ta çlirojmë trupin nga “ngasjet” perverse dhe makutëritë e egos, të jemi njësh me veten tonë, në unitet trupi, mendja, shpirti, në unitet e kaluara dhe e sotmja, të përkushtuar për t’i falur gjithkujt që ka nevojë dashuri, dashuri pa fund…

Shën Valentini është një ftesë për të shkallmuar prangat e “modernitetit” si keqkuptim dhe deformim, që po i çojnë shumë të rinj në dis-shijim dhe anarki e kaos ndjenjash, duke shkatërruar themelet e dashurisë së sinqertë, që ka në bazë familjen dhe vazhdimësinë e jetës.

Shën Valenti na fton të çlirohemi ne burrat nga mendësia e maskilizmit dhe patriarkalizmit, nga egoja e shfernuar dhe doniminimi ndaj femrës, të duam dhe respektojmë vajzën, gruan, nënën, motrën, të dashurën, të panjohurën në rrugë, në kafene, në punë, kudo që punojmë e jetojmë, pasi femra është njëra pjesë e botës dhe pjesa më e rëndësishme e saj.

Tek Gruaja, Nëna, e Dashura, bota ka gjetur që kur është krijuar modelin e të të Bukurës hireplotë, modelin e amësisë, vazhdimësisë dhe pandalshmërisë së jetës.

Sot kur këmbanat bien për të gjallët kundër dhunës maskiliste ndaj vajzave dhe grave tona, Shën Valentini na thërret të bëhemi mur i hekurt kundër çdo abuzimi, dhune e agresiviteti ndaj tyre, të mos lejojmë që egoizmi dhe sedra e sëmurë mashkullore të prodhojë ngjarje kriminale, vrasje dhe persekutim të seksit tjetër.

Të ngrehemi si shoqëri dhe t’i themi “ndal” gjithëkujt që nge dorën vrastare mbi femrën, të modelojmë në sjelljen dhe qëndrimin tonë respektin dhe mirënjohjen për ato që mbajnë në këmbë botën, që janë shtylla e familjes dhe qytetërimit të çdo vendi e kombi.

Shën Valentini na mbledh në lëndinat e bukurisë hireplotë, në skutat më intime të zemrës, për të festuar me zemër në dorë me gratë, vajzat, bashkëjetueset, të dashurat, duke reflektuar me gëzim e mirënjohje rreth lidhjes sonë, asaj që na falur Zoti dhe që duhet ta ruajmë e vlerësojmë si thesar të vyer.

Gëzuar Shën Valentinin miq e mikesha të nderuara!

Shën Valentin i pafund dashurie e fatbardhësie qoftë çdo ditë e jetës suaj!

H…@…B…H.