Dashuria nuk ka moshë-Vladimir Muça


Vladimir Muça

Nër paragjykime shpirtin e kemi të tharë,

Në mendimin tuaj: i djeguri lis,

Nga vitet e jetës përcëlluar në zjarr,

Me vështrim të gjelbër si kaktus jonik.

Në pranverën e dytë dashuria nuk vonon,

Dilemat migrojnë në njëmijë peisazhe;

Shpërthen ndjenja nga sytë si meteor

E shpirti shndërrohet në Circe surreale.

Pasionet e çastit i djegim si rrufetë

Tek gërvishten retë gri, pa shira,

Mbi mitet e Safos, në botë të vërtetë

Shtrojmë lëndina ndjenjash, botë me çudira.

Nga thellësi e shpirtit ndjesitë zgjojmë,

Në qiejt nervash nisim fluturimin;

Dhe vetë çmendurinë e ngremë mbi hon,

Të presim me puthje agimin.