Mirënjohja e shkrimtarit Hys Hasa-Nga Halil Rama


⦁ “Mirënjohje Këshillit të Qarkut të Kukësit, Shoqatës ‘Bijtë e Shqipes’ dhe Aleancës Kombëtare të ushtarakëve Shqiptarë” është një libër racional, emocional, dokumentar, arkivor, që mund të shërbejë si udhërrëfyes për studjuesit, sot e në të ardhmen

Parasëgjithash dua t’í shpreh mirënjohjen time më të thellë mikut tim, studjuesit të zellshëm, shkrimtarit Hys Hasa që produktit të veprës së tij studimore – shkencore i shtoi librin e 26 me titullin sinjifikativ “Mirënjohje Këshillit të Qarkut të Kukësit, Shoqatës ‘Bijtë e Shqipes’ dhe Aleancës Kombëtare të ushtarakëve Shqiptarë”.
Me këtë vepër të dimensioneve mbarëkombëtare, Hys Hasa e ngre në institucion mirënjohjen, si shprehja më e bukur e karakterit të njeriut. Ajo gjen mishërim të plotë në 511 faqet e ketij libri.
Hys Hasa me gjuhë të rrjedhshme, të qartë e të pasur u shpreh mirënjohjen e tij të thellë, dhjetra përfaqësuesve të elitës kukësiane e kombëtare që kanë vlerësuar veprën e tij krijuese, në 26 libra voluminozë. Ai falenderon jo vetëm profesorët e nderuar kukësianë Shefqet Hoxha, Dritan Spahiu e Fejzulla Gjabri, gjeneralin legjendar Rrahman Parllaku – Hero i Popullit dhe Nderi i Kombit, por edhe iniciuesin e Kryetarin e Nderit të Shoqatës “Bijtë e Shqipes”, gazetarin e mirënjohur Llazar Vero, veprimtarin e shquar, kryetarin e nderit të kësaj shoqate, kaladodasin Tajar Domi, komandantin e talentuar të Ushtrisë Shqiptare Ismail Shulku e dhjetra bashkëkohës të tij, ushtarakë e civilë.
Dhe përderisa vepra e tij ka ekspertizën e këtyre personaliteteve ajo padyshim zë vendin e merituar në historinë e letërsisë sonë dokumentare.
Parë nga ky këndvështrim, autori Hys Hasa e ka përmbushur më së miri misionin e tij, duke na sjellë nëpërmjet referencash, faktesh e dokumentash arkivore, por edhe nga bisedat gojore tejet bindëse, jo vetëm historinë e vendlindjes së tij, Vilës, si pjesë e krenarisë lumjane, por edhe personalitete ushtarake lumjane e vlera intelektuale kukësiane.
Pjesa e portretizimit të një gazetari e shkrimtari, natyrisht është testi i saktë i profesionalizmit të tij. Hys Hasa e kalon më së miri këtë test me shkrimin e profiletve të disa personazheve të spikatur, të njohur e të panjohur shumë për publikun e gjërë kukësian e jokukësian. Është gjë e bukur dhe mbresëlënëse se optika e tij përfshin personalitete të moshave e profesioneve të ndryshme, jo vetëm të Kukësit e Dibrës, por nga e gjithë Shqipëria, që të mbeten në mendje me detajet që ai ka dhënë për jetën dhe veprën e tyre.
Sa shumë emra, sa shumë vende dhe histori, sa shumë dashuri dhe mirënjohje për to, ka derdhur Hys Hasa, brenda faqeve të këtij libri. Në një topografi dhe gjeografi që nga Kukësi, Dibra, Korça, Fieri, dhe pse jo, gjer në Filadelfia (kur sjell në vëmendje të lexuesit, personalitete të Shoqatës “Bijtë e Shqipes me kontribute madhore për çeshtjen tonë kombëtare) autori i këtij libri “të merr prej dore” dhe të shëtit nëpër vende dhe ngjarje me histori të lavdishme.
Janë shumë personazhet e librave të tij. Të rrethuar me trimëri nga jehona e kohërave, por të thjeshtë, të thjeshtë deri në madhështi, vijnë e ulen pranë nesh, me fakte, me ngjarje, me jetët e tyre përmes faqeve të këtij libri.
Kësisoj nuk është e vështirë të ndjesh se dashuria është ai motiv që ka rrokullisur njëra pas tjetrës faqe të tëra të këtij libri me vlerësime të bashkëkohësve për autorin, si: Rrahman Parllaku që e vlerëson krijimtarinë e Hysë Hasës në libra që bëjnë krenar çdo kukësian e shqiptar; Abdulla Domi që vlerëson bujarinë dhe fisnikërinë që Hysa tregoi gjatë vizitës së tij në Filadelfia; Vera Istrefi që shkruan se Hys Hasa, edhe pse larg, mendjen e shpirtin e ka në atdhe; Muharrem Mezini që evidenton kontributin e këtij shkrimtari në pasqyrimin e vlerave dhe kontributin e Lumës e të lumjanëve në histori, mësuesi e drejtuesi veteran novosejas Enver Parllaku që ndjen kënaqësi të veçantë kur takohet me Hys Hasën dhe kur lexon librat e tij, etj etj.
“Mirënjohje Këshillit të Qarkut të Kukësit, Shoqatës ‘Bijtë e Shqipes’ dhe Aleancës Kombëtare të ushtarakëve Shqiptarë” është një libër racional, emocional, dokumentar, arkivor, që mund të shërbejë si udhërrëfyes për studjuesit, sot e në të ardhmen.
Pa asnjë mëdyshje, libri i 26-të i Hys Hasës, njëri nga pesë librat që promovohet të shtunën e 4 majit 2024 në Hotel Tirana International, është befasi për lexuesin.
Bashkë me urimin për këtë libër të radhës do të thoja se ai ka vlera të shumëfishta.
Është vlera njohëse për këta njerëz ose figura të historisë, artit e kulturës të Lumës e më tej, që nuk i gjen në librat shkollorë.
Është një libër që duhet të jetë në duart e shkrimtarëve më të rinj, sidomos të atyre që pretendojnë të shkruajnë monografi, për të parë një përvojë mjaft të vyer profesionale të këtij autori mjaftë produktiv e cilësor.
Është një vlerë për historinë e Kukësit e atë kombëtare në tërësi, që mund të ushqente mjaft muze, atë të luftës, të arsimit, të teatrit, të ushtrisë, të shkencës, etj.
Dhe këto nuk janë pak që edhe vetë libri, ashtu si personazhet e tij, të vihet në Panteonin e kulturës së shkruar shqiptare të viteve të fundit.