Ndihem mirë me ty Mars-Suzana Rama


Ndihem mirë me ty Mars.

Hej mars, i bukuri mars,

kur ti vjen kujtimesh më mbars,

më sjell ndërmënd fëmijërinë,

ëndrat dhe lodrat me brishtësinë,

kur mes shoqesh vrapoja si flutur,

kur më thoshin se këndoj bukur,

kur rritesha me kujdesin mëmësor,

e thirresha princeshë me zërin atëror.

Hej mars, i brishti, i lagështi mars,

ti që thyen dimrin dhe e lë mbas,

me agimet e freskta, vesën që hedh,

me blerim ngado e bukuritë që sjell,

me sjell ndërmënd, të bukurën rininë,

rritjen, lulëzimin dhe vet dashurinë,

ëndrat, dëshirat që s’mundën të mbrinin,

mërzitjen, lotët netëve dhe zhgënjimin.

Hej mars, muaji i luleve në livadhe,

i kthimit të dallandyshes mërgimtare,

i shushurimës simfoni nëpër pyje,

i netëve të gjata me hënë dhe yje,

i krojeve te arta mbushur me gurgullime,

atmosferën mbushe nga zogj me cicërime

sa mirë që erdhe me pranverën bashkë,

me ty në zëmër, moshën e lashë jashtë.

Ndihem mirë me ty i bukuri mars…