Në venat e shpirtit çakërdisur ndjenjat-Halit Haliti


Etja ime nxjerr dritë nga pusi i ëndërrave tua

Rend netëve pa gjumë me zemrën e humbur n’arrati

Me sytë e lidhur prek sustën e shpirtit n’kuvertë

Në dhembje brengash e mërzisë mu shfaqe ti.

Ti je një lumë i larë në diell që vërshon mbi mua

Për ty dhe qiellin do ta ndërroja

Bëhem vetëtimë të përzë retë e të shoh buzët tua

Rrufet bëjnë dritë e zhurmë, e unë të dashuroja.

Shumë ëndërra e buzëqeshje ty t’i kam dhuruar

Kështjella e ëndërrave për ty asnjëher s’u shemb

Je rrëmuja, kaosi i zemrës dhe shpirtit të turbulluar

Në venat e shpirtit çakërdisur ndjenjat

Shpirti për ty më dhemb.