Në votrën ku linde-Nikollë Loka


Nikollë Loka

Në votrën ku linde

Kur era rropatet mbi dyer që s’hapen,
e malli s’të pret t’i shtysh dyert,
ulu mbi pragun e derës e nisja të flasësh,
fol për vjeshtën që iku papritur,
për dimrin që erdh i paftuar,
fol për kohën e madhe të pritjes,
pasi të çmallesh me gurët!

Kur koha ngurtësohet nën hije strehësh,
dhe mungesa të kthehet në stalagmite,
mos kujto se je në hyrje të shpellës,
po në votrën ku linde!

Edhe po s’e gjete dritën që digjej,
edhe kur hiri i votrës të jetë ftohur,
foli oxhakut me gjuhën e zemrës,
se atëherë ka për të njohur!

Kthehet në dallgë gjithë kjo pamje

Kthehet në dallgë gjithë kjo pamje,
dhe perëndimi bëhet kohë,
dielli zbret,
në horizont shemben malet,
lumenjtë derdhen në gropë.
Mbushet me kohë një zbrazëti,
hapet një tjetër,
dhe perëndimi bëhet frymë.
Nga larg shfaqen piratë,
luftëtarë e mbretër,
një thirrje si jehonë edhe si britmë.

Me vështrimin pas mbeti deti,
u bë urë prej ujë,
hap në kapërcim.
Ndalesa e parë në Ilirik,
në Apenin ndalesa tjetër,
në rrjedhë ikjet pa kthim…

Dallgë prej ujë edhe prej ajri,
në djerrina shpirti
digjet zjarri.

Një pyllnajë me gjeth të ri

Një pyllnajë me gjeth të ri
e më përtej rrjedh një ujëvarë,
gjurmë fëmijerie…

Ndjek pas me sy dallgën që bie,
nisem pas saj,
si të isha hije,
një hije e lidhur me litar,
që lëshohet e s’bie…

Çdo hap që hedh më duket prill
që bëhet maj.